Qeveria jep 4 milion për Autostradën Prishtinë -Hani i Elezit
Prishtinë, 15 tetor - Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi , sot në mbledhjen e rregullt, të 200-tën me radhë, me kërkesë të Ministrisë së Financave, ka marrë vendim për ridestinimin e ndarjeve buxhetore në shumën prej 4 milionë e 471 mijë e 317 euro.
Përfitues nga ky ridestinim i mjeteve do të jenë: Ministria e Punëve të Jashtme 1 milion euro; Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë 1milion euro; Qendra e Studentëve 742 mijë euro dhe Ministria e Shëndetësisë 1 milion e 729 mijë 317 euro. Me kërkesë të Ministrisë së Financave është bërë edhe ridestinimi i mjeteve në vlerë prej 2 milion e 345 mijë 752 euro brenda buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë.
Vendimi i radhës në mbledhjen e sotme ishte aprovimi i Rregullore së Punës së Grupit Punues për Ballafaqim me të Kaluarën dhe Pajtim, e cila përcakton të drejtat dhe detyrimet e Grupit Punues dhe të anëtarëve të tij, si dhe çështje të tjera të rëndësishme për funksionimin e këtij Grupi.
Është miratuar edhe Plani i Punës për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Drejtësi Tranzicionale në Kosovë. Ky dokument, përcakton kornizat e përgjithshme për metodologjinë e punës, aktivitetet, afatet kohore, kontributin dhe ndarjen e përgjegjësive të institucioneve të ndryshme të përfshira në proces, që do të shërbejnë në përpilimin e Strategjisë Kombëtare për Drejtësinë Tranzicionale në Kosovë.
U miratuar vendimi përfundimtarë për shpronësimin për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të cilat preken nga ndërtimi Autostradës Prishtinë-Hani i Elezit në zonat kadastrale të komunës së Graqanicës dhe komunës së Lipjanit.
Ministria e Shëndetësisë, në bazë të vendimit të miratuar nga Qeveria në këtë mbledhje, ka transferuar mjetet në vlerë prej 780 mijë eurove nga kategoria ekonomike e shpenzimeve kapitale, në kategorinë ekonomike mallra dhe shërbime, në nënkategorinë për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për furnizim me barna.
Kabineti Qeveritar ka aprovuar edhe kërkesën e Ministrisë së Infrastrukturës për transferim të ndarjeve buxhetore të vitit 2014, në vlerë 4 milion e 950 mijë euro, nga nën programi për rehabilitimi i rrugëve në nën programin për ndërtimin e autostradave, konkretisht për projektin e Autostradës Prishtinë -Hani i Elezit.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismaili ka informuar kabinetin qeveritar për pjesëmarrjen në një konferencë të ministrave të ekonomisë së vendeve të Ballkanit Perëndimorë në Budva të Malit të Zi. Ai ka kërkuar që të gjitha ministritë të identifikojnë projektet investuese regjionale dhe ti dorëzojnë në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.