Qeveria formon 6 grupe punuese për strategjin e Veriut
Prishtinë, 8 mars - Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj gjatë dites se henë ka vendosur që të formojë gjashtë grupe punuese për implementimin e strategjisë për integrimin e veriut të Kosovës, e cila është e përmbledhur në katër pika kryesore.
Këto grupe punuese, në koordinim me Zyrën Civile Ndërkombëtare, do të koordinojnë zbatimin në terren të çështjeve që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, vendosjen e dialogut dhe pajtimin ndëretnik, çështjet e zhvillimit ekonomik dhe social, decentralizimin, shtrirjen e shërbimeve publike dhe komunikimin.
Angazhimi kryesor mbetet ai i sundimit të ligjit, i cili përfshin edhe rifunksionalizimin e doganave dhe gjykatave në veri, deklaroi kryeministri Hashim Thaçi.
Sa i përket sundimit të ligjit, angazhim konkret do të ketë për rivendosjen e pikave kufitare 1 dhe 31, rivendosjen e doganave, ruajtjen e zinxhirit unik të Policisë së Kosovës, si dhe funksionalizimin e sistemit gjyqësor e prokurorial të Kosovës, tha Thaçi.
Kryeministri Hashim Thaçi kërkoi edhe mbështetjen e opozitës dhe të shoqërisë civile për zbatimin e këtyre angazhimeve, të parapara me strategjinë për veriun.
Thaçi tha se kthimi i normalitetit, në radhë të parë, do të jetë në dobi të qytetarëve që jetojnë në veri, sidomos atyre serbë, të cilët për më shumë se dhjetë vjet jetojnë në kuadër të një sistemi paralel, që është organizuar nga strukturat e pushtetit të Serbisë në Kosovë.
Secili mekanizëm, edhe ata ndërkombëtarë, do ti ketë përgjegjësitë e veta sa i përket sundimit të ligjit, si: koordinimi i punëve tona me EULEX-in dhe me autoritetet e ICO-së dhe mekanizmat tjerë të sigurisë.
Presim përkrahje të fuqishme për zbatimin e këtij projekti, një projekt ky integrues, i shpresës, i besimit të qytetarëve edhe në veri, por edhe i shtrirjes së autoritetit të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës në gjithë territorin e Republikës, tha Thaçi.
Ndërkohë, ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, tha se vendosja e sundimit të ligjit në veri është duke u sfiduar nga struktura ilegale, të organizuara në veri.
Sidoqoftë, ai shprehu bindjen e tij se hapat e koordinuar të Qeverisë dhe ICO-së do të mund ta kthenin gradualisht vendosjen e ligjshmërisë edhe në këtë pjesë të Kosovës.
Është një numër i madh i qytetarëve atje, të cilëve, vërtet, jeta u është bërë e vështirë nga krimi i organizuar, nga strukturat paralele, nga politika ekstreme atje.
Prandaj, i gjithë ky plan, formimi i grupeve punuese, de fakto nënkupton që përfundimisht institucionet e Kosovës po i afrohen asaj pjese të Kosovës dhe do të jenë në mbështetje të atyre qytetarëve, në mënyrë që edhe ata të mund ti realizojnë të gjitha të drejtat, duke filluar nga barazia qytetare, si dhe mundësitë e barabarta dhe një perspektivë e përbashkët me qytetarët e tjerë të Kosovës, tha Ferati.
Kuvendi i Kosovës, përmes një deklarate, u ka dhënë mbështetje angazhimeve të Qeverisë për integrimin e veriut, edhe pse partitë opozitare në Parlament, në fund, kanë shprehur edhe dyshime, se strategjia e prezantuar është e mjaftueshme për parashikimin e hapave për të kthyer normalitetin dhe sundimin e ligjit në veri.