Qeveria është bërë pjesë e planit serb për spastrim etnik
Prishtinë, 16 prill - Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi është shprehur i habitur se si Grupi Parlamentar i PDK-së ka marrë iniciativë për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për veriun e Kosovës.
Në një intervistë për Epokën e Re, Selimi ka thënë se Kushtetuta e Kosovës ia mundëson kryeministrit Hashim Thaçi të thërrasë një seancë të tillë pas pasur nevojë për mbledhjen e nënshkrimeve të deputetëve.
Më habit fakti se si partitë në pushtet mbledh nënshkrime për seancë të jashtëzakonshme për veriun kur dihet se kryeministri i tyre e ka të drejtën që ia jep Kushtetuta që ta bëjë një gjë të tillë, ka thënë Selimi.
Ai ka vlerësuar se institucionet e sigurisë në Kosovës nuk kanë qenë në nivel të detyrës për sa i përket gjendjes në veri.
As gjatë këtyre ditëve e as në të kaluarën, sidomos institucionet qeveritare të sigurisë nuk kanë qenë në nivel të detyrës, por nuk kanë fare në detyrën që ua ngarkon ligji dhe Kushtetuta, është shprehur Selimi.
Në këtë kontekst, Selimi ka akuzuar rëndë Qeverinë e Kosovës, e cila, sipas tij, është bërë pjesë e planeve serbe për spastrim etnik të shqiptarëve në veri.
Qeveria as që e ka ndërmend ta zgjedhë këtë problem. Kemi kërkuar dorëheqjen e kësaj Qeverie e cila është bërë pjesë e skenarit për spastrim etnik të komunave veriore nga popullata autoktone shqiptare atje, është shprehur Selimi, duke e quajtur demokratike protestën e VV-së në Kuvendin e Kosovës.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka hequr vetë dorë nga ushtrimi i sovranitetit dhe nga zbatimi i sundimit të ligjit në veri.