Qeveria emëron ekipin negociator mes Kosovës dhe Serbisë
Prishtinë, 3 shtator - Qeveria e Republikës së Kosovës ka emëruar ekipin negociator në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Në këtë dialog, Qeveria e Republikës së Kosovës do të përfaqësohet me këtë ekip negociator:
1. Fatmir LIMAJ – Kryesues;
2. Enver HOXHAJ – Zëvendës kryesues;
3. Behxhet PACOLLI, anëtar;
4. Dardan GASHI, anëtar;
5. Mahir YAGCILAR, anëtar.
6. Avni ARIFI, anëtar;
Po ashtu në këtë ekip rezervohen vendet për përfaqësuesit e opozitës:
1. Përfaqësues nga LDK;
2. Përfaqësues nga VV;
3. Përfaqësues nga PSD;
4. Ekspert nga Shoqëria Civile.
Kryeministri e ka vlerësuar se ky është një ekip përfaqësues politik i koalicionit qeverisës por edhe një ekip që do të prezantojë përgjegjësitë qeveritare.
Ky vendim i Qeverisë do të dërgohet në Kuvendin e Republikën e Kosovës për aprovim. Në lidhje me këtë kryeministri ka thënë se do të kërkojë nga Kuvendi një seancë urgjente për diskutimin dhe aprovimin e ekipit dhe platformës së negociatave të Kosovës në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare për Krahasimin dhe Verifikimin e Pronës ka marrë aprovimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme. Projektligji është hartuar me qëllim të adresimit të të gjeturave nga ana e Avokatit të Popullit si dhe përmbushjen e obligimeve të dala nga Strategjia Kombëtare për të drejtat pronësore për adresim të informalitetit në shkallë të gjerë.
Në mbledhjen e sotme Qeveria e Republikës së Kosovës, në pajtim me përfundimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka dhënë mendimin për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të proceduarës penale. Për Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Festat Zyrtare mendimi i Qeverisë është se Projektligji duhet të bëjë ndarjen e qartë të Festave Zyrtare me Festat Memoriale, ndërsa për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të Procedurës Penale thuhet se propozimet janë të panevojshme në këtë fazë.
Me vendim të miratuar nga Qeveria e Kosovës, me nga një mijë euro janë përkrahur financiarisht 25 shoqata të familjeve të personave të zhdukur. Përkrahja u dedikohet aktiviteteve të këtyre shoqatave në shënimin e ditëve të veçanta dhe funksionimin e tyre. Ndërsa 20 mijë e 400 euro janë ndarë për rehabilitimin e personave me aftësi të kufizuara.
Qeveria ka diskutuar dhe miratuar Planin e punës së Zyrës së koordinatorit nacional për kulturë, rini dhe sport për periudhën korrik 2018-qershor 2019. Plani është dizajnuar me fokus për implementimin e projekteve të parapara Programin Nacional për rininë. Programi mbështetë në tri programe kryesore, që janë: gara në dituri; gara në kreativitet dhe gara në sport.
Qeveria e Kosovës i ka dhënë aprovimin Projektligjit për Ratifikimin e marrëveshjes për financim midis Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin e ekonomisë digjitale të Kosovës dhe ka ndarë 200 mijë euro për aktivitetet dhe nevojat e implementimit të Programit Nacional për Rininë për vitin 2018.
Me qëllim të realizimit të interesit publik përmes shpronësimit të pronave të paluajtshme Kabineti qeveritar ka miratuar vendimet:
- Vendimi përfundimtar për shpronësimin e pronave që preken nga realizimi i projektit për shndërrimin në Shtëpi Muze “Ukshin Hoti” në Krushë të Madhe.
- Vendimin preliminar për shpronësimin e pronave të paluajtshme që preken nga realizimi i projektit “Zona e veçantë ekonomike amerikane” në Komunën e Gjakovës.
- Vendimin preliminar për shpronësimin për interes publik të pronës së paluajtshme të objektit afarist, ish-Barnatorja e qytetit Prishtinë, për nevoja të akomodimit të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës;
- Vendimi për shqyrtim të mëtejmë të kërkesës për shpronësim të pronave të paluajtshme që preken nga ndërtimi i Autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, në zonat kadastrale të komunave Graçanicë, Lipjan, Ferizaj, Kaçanik dhe Hani i Elezit.
- Vendimi për shqyrtim të mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave që preken nga ushtrimi i aktivitetit minerar nga Kompania BISEK-sh.p.k nga Polonia, në zonat kadastrale Dubovc dhe Galicë të Komunës së Vushtrrisë.
Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar Koncept dokumentin për borxhin shtetëror që ka analizuar situatën aktuale në këtë fushë dhe ka rekomanduar përgatitjen e ligjit të ri për borxhin shtetëror i cili do të përcaktojë qartë procedurat, institucionet dhe autorizimet e institucioneve përgjegjëse, ndarjen e përgjegjësive dhe i cili i siguron nivelit qendror kontrollin e cilësisë dhe menaxhimit të nevojshëm të borxhit shtetëror.
Qeveria ka miratuar edhe Koncept dokumentin për fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështjet civile.
Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar ka prezantuar kërkesat për përjashtim nga procedurat e Ligjit për Prokurim Publik për sigurimin e pajisjeve për nevoja të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë dhe të pajisjeve të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit për sigurinë kibernetike në institucionet e Republikës së Kosovës.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka informuar kabinetin me procesin e realizimit të projektit për ndërtimin e termocentralit të ri “Kosova e Re”.
Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka propozuar ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 100 mijë euro të institucionit për arsimin e nxënësve me shkallë të lartë të inteligjencës, Institutit ATOM, propozim ky që u miratua nga Qeveria.