Qeveria e vendosur për moslejimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë
Prishtinë, 28 mars - Pretendimi i Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë do të dështojë, tha Kryeministri Hashim Thaçi në mbledhjen e qeverisë. Ai shprehu vendosmërinë e ekzekutivit që për çdo eventualitet të përdorë gjithë autoritetin Kushtetues për të mos lejuar mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.
Qeveria e Kosovës ka shprehur sot edhe njëher vendosmërinë për të mos lëjuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë. Kryeministri Hashim Thaçi, tha se po punohet intenzivisht me autoritetet ndërkombëtare që pretendimi i Serbisë për të mbajtur zgjedhje territorin e vendit tonë të dështojë.
Ndërkohë zëvëndëskryeministri dhe Ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, tha pas mbledhjes së qeverisë se të gjithë ata që tentojnë të organizojnë zgjedhjet do të trajtohet për veprime ilegale sipas ligjit.
Duke komentuar arrestimin e katër serbëve nga Policia e Kosovës te Dheu i Bardhë për shkak të transportimit të materialit zgjedhor, Kuçi, theksoi se të gjithë janë të barabartë para ligjit si dhe përgëzoi policinë e Kosovës për siç tha veprimin e drejtë dhe të mirë.