Qeveria e re nuk do të investoj në asfalt por në kapitalin njerëzor në Kosovë
Prishtinë, 19 nëntor - Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani e shoqëruar nga anëtarët i Kryesisë, Besian Mustafa dhe Lumir Abdixhiku ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim Mattia Romani, Drejtor Menaxhues për Ekonomi, Politika dhe Qeverisje, dr. Oleg Levitin, Zëvendësdrejtor për Qeverisje dhe Çështje Politike dhe Neil Taylor, Udhëheqës i Zyrës në Kosovë.
dr. Osmani i njoftoi përfaqësuesit e BERZH-it mbi prioritetet zhvillimore të LDK-së të përfshira në programin e përbashkët qeverisës LDK-LVV me përqendrim të veçantë tek investimet në kapitalin njerëzor përmes shëndetësisë, arsimit dhe sektorit privat.
“Nuk do të investojmë më fondet e buxhetit të Kosovës në autostrada të reja por do të investojmë në potencialin e qytetarëve tonë, veçanërisht në rritjen e punësimit të të rinjve dhe grave kosovare” u shpreh dr. Osmani.
Përfaqësuesit e BERZH-it paraqiten projektet aktuale të tyre në Kosovë në sektorin privat dhe atë publik, duke u zotuar që të thellojnë bashkëpunimin me Qeverinë e ardhshme veçanërisht në infrastrukturë, energji dhe zhvillimin e sektorit privat.