18 Janar 2025

Qeveria e përkushtuar në mbështetjen e komunitetit egjiptian

Prishtinë, 24 qershor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në manifestimin për nder të Ditës së Komunitetit Egjiptian.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin dhjetëra studentë dhe përfaqësues të komunitetit egjiptian, ministrat Arsim Bajrami e Arban Abrashi, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Veton Berisha dhe Ismet Beqiri, zëvendësministra dhe përfaqësues të tjerë.

Në fjalën përshëndetëse, kryeministri Mustafa theksoi se Qeveria do të vazhdojë mbështetjen e komunitetit egjiptian, komunitet që sipas kryeministrit, e ka dëshmuar përcaktimin për ndërtimin e Kosovës.

Duke përshëndetur veçanërisht studentët e shumtë të pranishëm nga ky komunitet, kryeministri u ka uruar Ditën e Egjiptianëve, duke premtuar përkrahje institucionale për ta.

“Konsideroj se Dita e Komunitetit Egjiptian, e cila festohet më 24 qershor, tashmë është bërë festë zyrtare e Kosovës dhe duke e shënuar këtë festë të ngritur me shumë të drejtë, institucionet tona respektojnë traditën dhe historinë e mirë dhe të begatshme të Kosovës dhe njëkohësisht e respektojnë edhe diversitetin kulturor, diversitetin etnik, fetar, dhe këtë e konsideroj si pasuri tonën të veçantë. E kaluara e komunitetit egjiptian në Kosovë është një e kaluar me shumë halle dhe probleme, por po ashtu është një e kaluar me shumë dinjitet, me bashkëjetesë dhe respekt të ndërsjellë me shqiptarët dhe komunitetet tjera në Kosovë”, tha kryeministri.

Duke falënderuar për përkushtimin e komunitetit egjiptian në Kosovë që nga paslufta për t’i ndërtuar institucionet e Kosovës dhe  për të qenë pjesë e të gjitha proceseve shtetndërtuese, kryeministri Mustafa tha se këto janë dëshmia më e mirë dhe më e fuqishme se sa e drejtë dhe sa e justifikueshme është baza e vlerës multietnike e cila po ndërtohet në Kosovë.

“Këto janë pasuri tonat, janë vlera tonat të përbashkëta dhe këto vlera ne duhet t’i kultivojmë edhe më tutje. Ju siguroj se Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të mbështesë komunitetin egjiptian në Kosovë, të mbështesë nevojat kulturore të këtij komuniteti, ato arsimore, identitare, por para së gjithash do të bëj përpjekje maksimale që të punoj në zhvillimin ekonomik dhe të sigurojmë që përmes zhvillimit ekonomik të kemi sa më shumë të punësuar nga radhët tuaja dhe të zgjidhim problemet ekonomike, të cilat janë probleme qenësore tonat dhe të cilat meritojnë që të zgjidhen sa më shpejt”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)