Qeveria e mbi ngarkuar me poste qeveritare
Prishtinë, 4 tetor - Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media të Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Idriz Vehapi, kryetar i Komisionit, u shqyrtua Projektligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës, nr. 04/L -68.
Në fakt, vëmendja e të pranishëmve u përqendrua në çështjet thelbësore, rreth të cilave duhet propozuar zgjidhje sa më të mira gjatë amendamentimit të tij, madje edhe si alternativa.
Diskutuesit u angazhuan që në ligjin e ardhshëm të definohen sa më mirë çështja e madhësisë së kabinetit qeveritar, duke kërkuar që të caktohet një maksimum i posteve qeveritare.
U fol mjaft edhe rreth nevojës së përcaktimit të disa limiteve të qeverisë në fazë kalimtare , ose kur ajo është në dorëheqje, në aspektin e marrjes së vendimeve dhe lidhjes së marrëveshjeve, të cilat do tiu mbeten për realizim qeverive të ardhshme.
Një tjetër preokupim përbënte edhe plani i punës së qeverisë, i cili, si u tha, duhet të jetë në pajtim me buxhetin.
Projektligji ka brumë të mirë, por grupi punues dhe tërë komisioni duhet të angazhohen, që ai të jetë sa më preciz nga aspekti i dhënies së zgjidhjeve, përkatësisht të ketë një terminologji sa më të saktë, pa lënë hapësirë për dilema me rastin e zbatimit të tij.
Gjatë amendamentimit duhet të kihet kujdes edhe rreth caktimit të kompetencave të qeverisë në raste të vakumeve, theksuan diskutuesit.
Tërë debati ishte në funksion të nxitjes së një pune sa më cilësore të grupit punues, por edhe të anëtarëve të tjerë dhe ekspertëve me rastin e amendamentimit të Projektligjit, që do të bëhet gjatë këtyre ditëve.