Qeveria e Kosovës zhvilloi mbledhjen e saj të rregullt
Prishtinë, 17 shtator - Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt në të cilën ka miratuar vendime dhe dokumente tjera nga fushat e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Dokumenti i parë i miratuar në mbledhjen e sotme ka qenë Rregullorja për përcaktimin e rregullave dhe procedurave të punës së Këshillit Nacional për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë. Kjo Rregullore ka për qëllim përcaktimin e rregullave të punës së këshillit, të drejtat dhe detyrat e kryetarit, nënkryetarit, sekretarit dhe anëtarëve të këshillit si dhe çështje tjera me rëndësi për punën e këtij këshilli.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për themelimin e grupit punues për të analizuar politikën fiskale që ka të bëjë me Tatimin në Vlerën e Shtuar në produktet bazë të konsumit.
Grupi punues do të ketë këtë përbërje:
1. Një përfaqësues nga Ministria e Financave, kryesues,
2. Dy përfaqësues nga Ministria e Financave,
3. Një përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit
4. Një përfaqësues nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik,
5. Një përfaqësues nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë,
6. Një përfaqësues nga Dogana e Kosovës,
7. Një përfaqësues nga Administrata Tatimore e Kosovës,
8. Një përfaqësues i shoqërisë civile, në cilësinë e vëzhguesit.
Qeveria ka miratuar edhe vendimin për themelimin e Grupit Punues për hartimin e Programit Ekonomik Fiskal për vitin 2015. Grupi Punues për hartim të Programit Ekonomik Fiskal, i udhëhequr nga zëvendësministri i Financave, do të ketë këtë përbërje:
1. Një përfaqësues nga Departamenti i Politikave Ekonomike dhe Publike, MF;
2. Një përfaqësues nga Departamenti i Buxhetit, MF;
3. Një përfaqësues nga Departamenti i Buxhetit Komunal, MF;
4. Një përfaqësues nga Departamenti për Integrim Evropian dhe Koordinim te Politikave, MF;
5. Një përfaqësues nga Zyra për Planifikim Strategjik, ZKM;
6. Një përfaqësues nga Departamenti i Integrimit Evropian, Koordinim të Politikave dhe Zhvillim Ekonomik, MZHE;
7. Një përfaqësues nga Departamenti i Tregtisë, MTI;
8. Një përfaqësues nga Departamenti i kritereve ekonomike dhe tregut të brendshëm, MIE;
9. Një përfaqësues nga Departamenti i Analizave Ekonomike dhe Stabilitetit Financiar, BQK;
10. Një përfaqësues nga Departamenti i Statistikave Ekonomike dhe Llogarive Kombëtare, ASK;
11. Një përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës;
12. Një përfaqësues nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies, Departamenti për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave;
13. Një përfaqësues nga Ministria e Arsimit;
14. Një përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë, Agjensioni i Financimit të Shëndetësisë, MSH
15. Një përfaqësues nga Ministria e Administratës Publike, Departamenti i Reformës së Administratës Publike
Grupi Punues ka për detyrë dhe përgjegjësi: të ndihmojë procesin e hartimit të Programit Ekonomik Fiskal; të koordinojë materialet e dorëzuara nga institucionet përkatëse; të sigurojë konsistencë dhe përputhshmëri në mes të politikave të propozuara në Programin Ekonomik Fiskal me kornizën e përgjithshme fiskale dhe të monitoroj implementimin e Programit Ekonomik Fiskal.
Është miratuar edhe vendimi për rekomandimin që Presidentja e Republikës së Kosovës të autorizojë ministrin e Financave për nënshkrimin e marrëveshjes për Kredi Eksportuese ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Unicredit Bank Austria AG lidhur me financimin e Projektit Hibrid të Integruar për Qendrën e Kardiokirurgjisë së Klinikës Universitare të Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Raportin gjashtëmujor për buxhetin e viti 2014, sipas të cilit janë evidentuar 688 milion të hyra dhe 641 milion pagesa nga buxheti për këtë periudhë.
Me vendimin e aprovuar sot në mbledhje, Qeveria e Kosovës mbështet organizimin aktiviteteve kulturore për shënimin e Ditës së Boshnjakëve në Kosovë me 24 820 euro.
Është miratuar edhe vendimi përfundimtarë për shpronësimin për interes publik në krijimin e të drejtës së servitutit për pronat e paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga ndërtimi i Linjës Energjetike 400kV në, segmenti i parë 16 km, zonat kadastrale në komunat Obiliq, Vushtrri dhe Drenas.
Në mbledhjen e sotme Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë mjete për mbështetjen e punës së Komisionit Qeveritarë për njohjen e statusit të ish të dënuarve dhe ish të përndjekurve politik.