23 Janar 2025

Qeveria e Kosovës zhvilloi mbledhjen e rregullt

Prishtinë, 18 mars - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, zhvilloi mbledhjen e 19-të, të rregullt. Kryeministri Mustafa ka folur para kabinetit për pakon e projektligjeve që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut që përbëhet nga Projektligji për Barazi Gjinore, Projektligji për Mbrojtje nga Diskriminimi, dhe Projektligji për Avokatin e Popullit, e cila u trajtua në këtë mbledhje.
 
Me këtë rast, kryeministri Isa Mustafa tha se Qeveria e Republikës së Kosovës, duke pasur parasysh rëndësinë e krijimit të një kornize ligjore të përgjithshme, e cila avancon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, në Programin Legjislativ të saj për vitin 2015 ka paraparë edhe Pakon e këtyre Projektligjeve që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut.

“Konsiderojmë se nxjerrja e këtyre projektligjeve nga Qeveria, konsiston në objektivin kryesor të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për krijimin e një sistemi të mirëfilltë ligjor dhe efikas, për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të njeriut, në përputhje me Direktivat Evropiane dhe me standardet më të mira ndërkombëtare.

 
Përmes këtyre projektligjeve synohet të arrihet përmirësimi i infrastrukturës ligjore për promovimin e të drejtave të njeriut, ndërmarrjen e masave pozitive lidhur me jetën ekonomike, shoqërore dhe kulturore, si dhe gëzimin e të gjitha të drejtave kushtetuese dhe ligjore për të gjithë personat që jetojnë në Republikën e Kosovës”, tha kryeministri.
 

Kryeministri Mustafa po ashtu theksoi se është e nevojshme që pakoja e këtyre tri projektligjeve del edhe si kërkesë nga Raporti i Komisionit Evropian për përmbushjen e kritereve lidhur me liberalizimin e vizave dhe se  është e rëndësishme të potencohet që këto projektligje janë të bazuar në aktet legjislative të Bashkimit Evropian.

“Prandaj, duke u bazuar në atë që e theksova dhe që është e përmbajtur në këto projektligje, konsideroj se arsyeja e nxjerrjes së Projektligjit për Barazi Gjinore, Projektligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi dhe Projektligjit për Avokatin e Popullit, identifikohet me rregullimin e kornizës ligjore për mbrojtjen nga diskriminimi, parandalimin, luftimin e diskriminimit, ngritjen e shkallës së barazisë përpara ligjit, dhe realizimin e parimit të trajtimit të barabartë përpara ligjit, të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.

Më tutje, kryeministri i ka njoftuar ministrat se në javën që vjen do të ketë aktivitete mjaft të dendura të Qeverisë së Republikës së Kosovës. “Të hënën do të kemi një takim mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, në të cilin takim do të nënshkruhen shumë marrëveshje që rregullojnë fusha të përbashkëta.

Me datën 25 në Prishtinë do të mbahet një takim shumë i rëndësishëm i gjashtë ministrave të jashtëm dhe të infrastrukturës, lidhur me projektet e përbashkëta të Ballkanit, ku do të jetë prezent edhe Komisioneri Hahn. Ndërkaq, ditën e nesërme, do të jetë në Kosovë përfaqësuesja e lartë e BE-së, znj. Mogherini, me të cilën do të zhvillojmë bisedë lidhur me bashkëpunimin e ngushtë me Bashkimin Evropian, dhe lidhur me agjendën tonë evropiane”, bëri të ditur kryeministri Isa Mustafa.

Në vazhdim të mbledhjes, u miratuan Projektligji për Barazi Gjinore, Projektligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Projektligji për Avokatin e Popullit.

Në pikat tjera të rendit të ditës, në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka marrë miratimin edhe Projektligji për Provimin e Maturës Shtetërore. Projektligji rregullon organizimin, përmbajtjen, kushtet, kriteret dhe procedurat e provimit të maturë shtetërore në Republikën e Kosovës.

Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për Plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës.

Kabineti qeveritar i ka dhënë dritën e gjelbër edhe Projektligjit për Armë, që rregullon kushtet për blerjen, posedimin, armëmbajtjen, ruajtjen, prodhimin, çaktivizimin, riparimin, tregtimin, importimin, transitin, shitjen, transportimin dhe shënjimin e armëve dhe municionit për personat fizik dhe juridik, brenda territorit të Republikës së Kosovës, si dhe eksportimin nga Republika e Kosovës të destinuara vetëm për përdorim civil.

Edhe Projektligji për Letërnjoftim është miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë.

Qeveria në vazhdim të mbledhjes ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin  e Ligjit për Pajisje me Armë, Municion dhe Pajisje përkatëse të sigurisë për Institucionet e autorizuara Shtetërore për Siguri.

Po ashtu u miratua edhe Koncept-dokumenti për Rregullimin e Fushës së Mjekësisë Ligjore.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për plotësim ndryshimet në Grupin Drejtues për Planifikim Strategjik. Grupi do të ketë këtë përbërje:

1.            Këshilltar politik i kryeministrit,                                                      kryesues

2.            Drejtori i Zyrës për Planifikim Strategjik, ZKM                              zv/kryesues

3.            Drejtori i Departamentit të Buxhetit, MF                                         anëtarë

4.            Drejtori i Sekretariatit Koordinues të Qeverisë, ZKM                     anëtarë

5.            Drejtori i Zyrës Ligjore, ZKM                                                         anëtarë

6.            Drejtori i Departamentit të Koordinimit të Donatorëve, MIE         anëtarë

7.            Drejtori i Njësisë për Politika Makroekonomike                             anëtarë

8.            Ministri tjera në varësi të çështjeve për diskutim                            anëtarë

9.            Përfaqësuesi i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik                          anëtarë

 

Në mbledhje është aprovuar edhe vendimi për ndarjen e mjeteve për shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së për rehabilitimin e anëtarëve të tyre. 40,000 euro do të ndahen për Shoqatën e Invalidëve të Luftës, 25,000 euro ndahen për Organizatën e Veteranëve të Luftës dhe 25,000 euro për Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve.

 
Është aprovuar edhe vendimi për dhënien e pajtimit për përjashtimin nga fushëveprimi i Ligjit për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës, për mirëmbajtjen dhe avancimin e sistemit të menaxhimit kufitar.


Në çështje të ndryshme, ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, ka njoftuar kabinetin qeveritar lidhur me vizitën që ka pasur në Francë, takimin me homologun e tij, Bernard Cazeneuve, dhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetëror të Francës.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)