19 Janar 2025

Qeveria e Kosovës zhvilloi mbledhjen e 82-të

Prishtinë, 30 mars - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e 82-të, të rregullt, në të cilën ka miratuar projektligje, udhëzime administrative dhe dokumente tjera të përgjegjësive të saj ligjore dhe kushtetuese.

Projektligji për Akademinë e Drejtësisë, i cili është miratuar nga kabineti qeveritar, ka për qëllim të themelojë Akademinë e Drejtësisë dhe ta rregullojë statusin e saj. Me projektligj rregullohen edhe funksionet, organet dhe mënyra e kushteve sipas të cilave do të kryhet trajnimi i vazhdueshëm i gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës së Kosovës, por edhe të personelit administrativ gjyqësor dhe prokurorial në Republikën e Kosovës.

Edhe Udhëzimi Administrativ mbi Kushtet për Zgjedhjen e Lokacionit dhe Ndërtimin e Deponisë së Mbeturinave është miratuar në mbledhjen e sotme. Udhëzimi përcakton kushtet dhe kriteret për zgjedhjen e lokacionit dhe ndërtimin e deponive me qëllim të parandalimit dhe zvogëlimit të ndotjes së ujit, ajrit dhe tokës.

Në vazhdim të mbledhjes, kabineti qeveritar ka miratuar Udhëzimin Administrativ për ndryshimin dhe plotësimin e udhëzimit administrativ për mallrat e liruara nga tatimi doganor. Listës së mallrave të liruara nga tatimi doganor i shtohen edhe ari i pastër, pjesë të pajisjeve të aparateve për dializë dhe turbinat dhe rrotat e ujit.

Qeveria e Kosovës ka miratuar Planin e Veprimit 2015-2016, për eliminimin e të gjitha formave të këqija të punës së fëmijëve në Kosovë deri në vitin 2016.

Edhe vendimi për miratim në parim të nismës për lidhjen e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë për bashkëpunim kulturor, ka marr miratimin nga Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme.

Në parim është miratuar edhe nisma për lidhje të Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Fondit të OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar për Promovimin dhe Mbrojtjen e Investimeve.

Me vendimin e aprovuar në mbledhjen e sotme, Qeveria ka themeluar Grupin Punues për zbatimin e Strategjisë për Vetëqeverisje Lokale 2016-2026.

Edhe Trupi Koordinues për Mbikëqyrjen e Tregut është themeluar me vendimin e aprovuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ky trup përbëhet nga përfaqësues të ministrive të ndryshme të Qeverisë.

Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar, ka miratuar Raportin e Vlerësimit të Përshtatshmërisë së Sistemit të Financimit të Komunave për vitin 2015. Raporti është vlerësim i Komisionit të Granteve dhe e mat zbatimin e kritereve bazë të përcaktuara me Ligjin për Financat e Pushtetit lokal, ndarjen e granteve qeveritare dhe vlerësimin e të hyrave vetanake komunale në buxhetin e përgjithshëm.

Edhe Raporti Vjetor Financiar për vitin 2015, është miratuar në mbledhjen e sotme nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Kryeministri Isa Mustafa, ka vlerësuar lartë raportin vjetor financiar për vitin 2015. “Ky është një raport shumë i mirë që flet për stabilitet buxhetor dhe për performancë të shkëlqyeshme të buxhetit edhe në pjesën e të hyrave, edhe në pjesën e të dalurave, për kursime dhe po ashtu për një deficit i cili është menaxhuar në mënyrë shumë të suksesshme”, tha kryeministri Mustafa.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për vazhdimin e mandatit për Komisionin Qeveritar për Njohjen e Statusit dhe të ish të Dënuarve dhe ish të Përndjekurve Politikë.

Gjithashtu, Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë mjete financiare për Komisionin Qeveritar për Njohjen e Statusit dhe të ish të Dënuarve dhe ish të Përndjekurve Politikë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)