Qeveria e Kosovës: Serbia nuk zbaton marrëveshjet
Prishtinë, 15 mars - Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh zhgënjimin e saj të thellë për moszbatimin e marrëveshjes për bashkëpunim rajonal nga ana e Serbisë të arritur në Bruksel me 24 shkurt 2012.
\"Kjo shkelje e marrëveshjes nga ana e Serbisë ka ndodhur sot në kuadër të konferencës regjionale Partneriteti për ndryshim: shoqëria civile dhe qeveritë në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi e cila po mbahet në Beograd.\"
\"Serbia si organizatore e kësaj konference ka dështuar të zbatoj pikën 2 dhe pikën 4 të marrëveshjes për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale. Për rrjedhojë, përfaqësimi i Republikës së Kosovës në këtë konferencë është pamundësuar dhe përfaqësuesi i qeverisë së Republikës së Kosovës ka braktisur konferencën në fjalë\", thuhet në deklaratën për media të qeverisë.
Qeveria e Republikës së Kosovës kërkon nga Bashkimi Evropian që në përputhje me rolin e tij si ndërmjetës dhe garantues i zbatimit të marrëveshjeve të arritura në dialogun teknik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të ndërmarrë të gjitha veprimet e domosdoshme për të garantuar zbatimin në praktikë të marrëveshjeve të arritura.