19 Janar 2025

Qeveria e Kosovës mbajti mbledhjen e 79-të

Prishtinë, 15 mars - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, zhvilloi mbledhjen e rregullt, të shtatëdhjetë e nëntën me radhë.

Në hapje të mbledhjes, kryeministri Isa Mustafa, deklaroi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të realizojë programin e saj qeverisës, të orientuar në prioritetet themelore të saj që janë zhvillimi ekonomik, hapja e vendeve të reja të punës, tërheqja e investimeve të jashtme, forcimi i shtetit ligjor dhe integrimet evropiane dhe euroatlantike, prioritetet e veçanta në fushën e shëndetësisë dhe në fushën e arsimit, si fusha të cilat domosdoshmërish ndihmojnë zhvillimin ekonomik, mirëqenien e qytetarëve dhe stabilitetin e vendit.

“Prandaj për t’i realizuar të gjitha këto, unë në emër të Qeverisë i bëj ftesë opozitës që të kthehet në Kuvend, që të dialogojmë për të gjitha problemet që opozita i konsideron se e shqetësojnë, që subjektet e veçanta të opozitës të heqin dorë nga mjetet e dhunës për arritjen e qëllimeve politike, dhe po ashtu të hiqet dorë nga diskursi i cili ndjell urrejtje dhe i cili krijon një ambient në të cilin shfaqet dhuna dhe sulmi ndaj objekteve publike, institucioneve publike, policisë, objekteve private të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Interesi i vendit tonë është që ne të punojmë në këto fusha, që ne të përmirësojmë jetën e qytetarëve. Përkushtimi i Qeverisë është që këtë ta bëjmë. Orientimi i Qeverisë dhe zotimi i saj është që të realizojë mandatin e plotë dhe përgjegjësinë e plotë për mandatin për të cilin është miratuar edhe programi qeverisës”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Ligji për ratifikimin e Konventës për heqjen e kërkesës për legalizim të dokumenteve zyrtare të huaja, ka marr miratimin e Qeverisë së Kosovës. Ky ligj ratifikon të ashtuquajturën “Konventa apostile” e vitit 1961 për legalizim të dokumenteve zyrtare dhe zbatohet për dokumentet që ekzekutohen në territorin e një shteti palë, ndërsa prodhohen në territorin e një shteti tjetër palë.

Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe Udhëzimi Administrativ për zbatimin e procedurave qendrore të prokurimit publik, i cili ka për qëllim të përcaktojë një listë të mallrave ose artikujve të përdorimit të përbashkët.

Është miratuar edhe vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për themelimin e Këshillit të Ekspertëve, i cili ofron këshilla profesionale për Qeverinë e Republikës së Kosovës lidhur me kërkesat e parashtruara për shpronësimin e pronës së paluajtshme.

Kryeministri Isa Mustafa tha se ky Komision do të konsultohet lidhur me disa çështje që janë më të ndjeshme, që kanë të bëjnë me eksproprijimin e pronave në mënyrë që të ketë siguri se të gjitha ato po zhvillohen duke e respektuar ligjin dhe në interes të Republikës së Kosovës.

Raporti mbi planifikimin dhe implementimin e “Klauzolës për Investime” u miratua me propozimin që listës t’i shtohet edhe projekti i autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë. Raporti është përgatitur për informim të Qeverisë dhe Kuvendit në pajtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive dhe synon transparencën e planifikimit dhe implementimit të investimeve. Raporti mbi planifikimin dhe implementimin e “Klauzolës për Investime”, ka për qëllim krijimin e një ure të informimit gjithëpërfshirës në mes të Qeverisë, Kuvendit dhe publikut mbi planifikimin dhe implementimin transparent të investimeve strategjike.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për miratimin e listës së përbashkët të mallrave për përdorim ushtarak, të cilat i nënshtrohen kontrollit shtetëror të importit dhe eksportit.

Është miratuar në parim edhe nisma për lidhjen e Marrëveshjes për bashkëpunim ndërkufitar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Kjo marrëveshje iniciohet për të mbështetur implementimin e bashkëpunimit ndërkufitar sipas IPA II 2014-2020.

Qeveria ka aprovuar vendimin për rialokimin e mjeteve financiare për Ministrinë se Punëve të Brendshme. Qëllimi i këtij rialokimi është furnizimi me uniforma pune për zjarrfikës që janë të domosdoshme dhe ndikon drejtpërdrejtë në efikasitetin dhe punën e tyre.

Qeveria e Republikës së Kosovës, po ashtu, ka miratuar vendimin për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës emërimin e anëtarëve në Komisionin Kosovar të Konkurrencës.

Kryeministri Isa Mustafa lidhur me këtë pikë deklaroi se Ligji parasheh që asnjëri prej tyre nuk do të mund të ketë pozitë politike gjatë kohës së ushtrimit të mandatit.

Qeveria e Kosovës, ka miratuar vendimin për themelimin e Komisionit për hartimin e Projektligjit për Trepçën.

Me qëllim të kryerjes efikase të aktivitetit të tij, komisioni mund të formoj grupe punuese të përkohshme si dhe mund të angazhojë ekspertë nga fusha e qeverisjes koorporative. Në punën e tij, komisioni mund të shfrytëzojë mbështetjen profesionale të institucioneve dhe të organizatave përkatëse të vendit dhe ndërkombëtare. Komisioni është i obliguar që për punën e tij t’i raportoj Qeverisë kurdo që kërkohet. Po ashtu, komisioni është i obliguar që Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik t’ia paraqesë projektligjin më së voni në afat prej 2 muajsh nga dita e nënshkrimit të këtij vendimi, ndërkaq Ministria e Zhvillimit Ekonomik obligohet që të sigurojë kushtet materiale, teknike dhe kushtet tjera të nevojshme për punën dhe funksionimin e këtij komisioni.

Kryeministri Mustafa, tha se janë zhvilluar disa takime lidhur me Trepçën dhe lidhur me detyrimet që janë për Trepçën. “Ideja ka qenë që ta themelojmë këtë komision në mënyrë që të kemi një përfshirje më të gjerë të të gjitha palëve të interesuara gjatë përgatitjes dhe hartimit të ligjit për Trepçën, sepse në të kundërtën kjo çështje është çështje e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik që ta bëjë vetë. Unë mendoj se është një qasje e cila është inkluzive dhe që mundëson edhe harmonizimin e interesave, nevojave, por edhe një produkt i cili do të jetë ai që ne presim si Qeveri”, tha kryeministri Mustafa.

Kabineti qeveritar është informuar  me performancën e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore, gjatë muajit shkurt 2016.

Kryeministri Mustafa ka vlerësuar ecurinë shumë të mirë të të hyrave buxhetore dhe relacionin në mes të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore.


Edhe vendimi mbi Prokurimin Elektronik ka marrë miratimin e kabinetit në mbledhjen e sotme.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)