Qeveria e Kosovës kërkon lirimin e menjëhershëm të Haradinajt
Prishtinë, 4 janar - Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjitha dikasteret kompetente të saj po angazhohen me prioritet për sqarimin e shpejtë të rrethanave të ndalimit të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj dhe tejkalimin e situatës së krijuar si pasojë e aktakuzave të paligjshme, të padrejta dhe tendencioze të Serbisë.
Edhe Ministria e Drejtësisë e Republikës sё Kosovës ka njfotuar se gjate orëve të pasdites është njoftuar nga Policia e Kosovës për ndalimin e z. Ramush Haradinaj nga autoritetet Franceze.
Pas marrjes së informacionit, Ministria e Drejtësisë është koordinuar me Ministrinë e Punëve të Jashtme, Policinë e Kosovës dhe Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Francë dhe përmes Ministrisë së Jashtme ka dërguar shkresën në Ministrinë e Drejtësisë së Francës me kërkesën për lirimin e menjëhershëm të Haradinaj.
Ministria e Drejtësisë konsideron se të gjitha urdhër arrestet ndërkombëtare të lëshuara nga Serbia për shtetasit e Republikës së Kosovës për veprat penale kinse të kryera në Republikën e Kosovës, janë të paligjshme dhe të papranueshme për Republikën e Kosovës, andaj presim lirimin e menjëhershëm të z. Ramush Haradinaj.