20 Janar 2025

Qeveria e Kosovës fton opozitën për dialog në institucione

Prishtinë, 18 shkurt - Kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës kanë folur për shënimin e 8 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës si dhe zhvillimet tjera që ndodhën një ditë më parë.

Kryeministri Isa Mustafa në vazhdën e shënimit të tetë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ka përgëzuar Qeverinë për punën shumë të madhe dhe të rëndësishme që e ka bërë në vitin e tetë të Pavarësisë, por edhe qeveritë e mëparshme për punën dhe rezultatet e arritura.

“Unë vlerësoj se është bërë punë shumë e madhe, janë të arritura shekullore në qoftë se dilet në terren dhe shihet se sa është punuar në ndërtimin e infrastrukturës, në përmirësimin e jetës familjare të banimit, të shkollimit, të shëndetësisë e të qytetarëve tanë. Janë rezultate që nuk mund të mohohen. Janë rezultate shumë të mira edhe sa i përket integrimit të komuniteteve gjatë kësaj periudhe, dhe kemi dallime të mëdha mes asaj se çfarë ka qenë situata më parë dhe çfarë situate kemi në përmbylljen e vitit të tetë të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, dhe ne jemi të interesuar që komunitetet të jenë të integruara në të gjitha këto procese, jemi të interesuar që të zhvillojmë marrëdhënie të mira me fqinjët, që të jemi faktor i paqes, i sigurisë, dhe normalizimi i këtyre marrëdhënieve na krijon kushte që ne sa më shpejt t’i kapërcejmë të gjitha fazat dhe periudhat e integrimit tonë në Bashkimin Evropian”, tha kryeministri Mustafa

Më tutje, kryeministri Mustafa, i ka bërë sërish ftesë opozitës që të gjitha çështjet që e preokupojnë, që mund të jenë reale, t’i diskutojë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Të zhvillojmë debat demokratik, ashtu siç e do demokracia evropiane dhe properëndimore. Ne jemi në gjendje që të japim argumente për çdo shqetësim dhe kërkesë të çdo qytetari, edhe të atyre që ishin dje në protestë dhe nuk aplikuan dhunë, dhe unë  përgëzoj të gjithë ata që kanë qenë që në mënyrë të dinjitetshme e kanë përfunduar protestën, por po ashtu kërkoj prej krerëve të opozitës që ata të mos veprojnë edhe më tutje në këtë formë, por të kthehen në Kuvend dhe që në Kuvend t’i zgjidhim të gjitha çështjet. Ne jemi të interesuar që të thellojmë partneritetin me miqtë tanë, sepse konsiderojmë se vetëm përmes kësaj forme ne mund të ecim përpara, mund të shpejtojmë këto procese, duke pas parasysh se si vend kemi stagnuar shumë dhjetë vjet në periudhën e viteve të 90-ta, sepse kemi pas një periudhë të desinvestimit, një periudhë në të cilën ne nuk kemi mundur të kapërcejmë fazat të cilat i kanë kapërcyer vendet në tranzicion në demokracinë evropiane, dhe ne me vonesë tani duhet të bëjmë hapa shumë më të shpejtë. Çdo tentim për bllokim të punës së Kuvendit do të na ngadalësojë edhe më shumë këto procese, gjë që do të dëmtojë qytetarët tanë, e dëmton vendin tonë, dhe po ashtu na dëmton edhe në relacionin me vendet e Bashkimit Evropian dhe sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët i kanë dal krahë dhe i kanë përkrahur të gjitha proceset pozitive, proceset e demokratizimit dhe proceset e zhvillimit ekonomik”, tha kryeministri.

Lidhur me punën e Qeverisë së Kosovës, kryeministri Mustafa tha se koalicioni qeveritar ka bërë një punë të shkëlqyeshme dhe ka pas një bashkëpunim shumë të fortë. “Asnjë prej anëtarëve të koalicionit nuk ka  imponuar kërkesa të veçanta, as interesa të veçanta në këtë Qeveri, përfshirë edhe komunitetet jo shumicë që janë këto. Dhe unë vlerësoj se këto raporte dhe këto marrëdhënie do t’i kultivojmë edhe më tutje, do të punojmë në interes të Kosovës, në interes të zhvillimit ekonomik, dhe në interes të prosperitetit tonë, që është në interes i çdo qytetari të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.

Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ka shprehur kënaqësi dhe krenari për mënyrën e dinjitetshme të festimit të 8-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës nga qytetarët e Kosovës.

“Republika e Kosovës çdo ditë e më tepër po zhvillohet, po shënon progres, po thellon reformat, po arrin objektivat euroatlantike, në veçanti pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe pritjes që në javët e ardhshme të bëhet rekomandimi për liberalizimin e vizave. Pra, shënuam 8-vjetorin e Pavarësisë në një vit evropian për Republikën e Kosovës. Ishte kënaqësi të shihje parakalimin e njësive të sigurisë së Republikës së Kosovës si prej mekanizmave më kuptimplotë dhe më profesional, mund të themi edhe në rajon. Gjithashtu, ishte një mesazh shumë i mirë dje që i dërguam të gjithë si politikë, si institucione, si shoqëri, gjithë botës se Kosova është shtet normal, është shtet i zakonshëm, që po lëviz përpara dhe e ardhmja e saj është e sigurt”, tha zëvendëskryeministri.

Zëvendëskryeministri Thaçi po ashtu tha se ishte i mirëseardhur vendimi i njerëzve që morën pjesë në protestën e opozitës për të hequr dorë nga përdorimi i dhunës apo të mos i përgjigjen thirrjeve të eprorëve opozitarë për protestën e organizuar në Prishtinë, për përdorimin e dhunës.

“Të gjithë jemi të vetëdijshëm se dhuna nuk çon askund, përkundrazi dialogu është zgjidhje e vetme që duhet të ndodhë, qoftë në Zyrën e Presidentes, qoftë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, siç e tha edhe kryeministri. Dhe mendoj se ky debat dhe këto këndvështrime të ndryshme për proceset politike duhet të diskutohen në Kuvendin e Republikës së Kosovës, të ballafaqohen në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ne të gjithë jemi të zgjedhurit e qytetarëve dhe mendoj se ky është proces i nevojshëm dhe i domosdoshëm demokratik. Prandaj, ne do t’ju bëjmë ftesë të vazhdueshme që të gjithë të ulemi të bisedojmë, kemi shumë më tepër gjëra që na bashkojnë dhe afrojnë edhe me agjendën opozitare në kuptimin e interesave të shtetit sesa gjëra sekondare që mund të na ndajnë. Dhe unë kam besim se do të ketë reflektim të tillë të mos përdorimit të dhunës, sikurse ndodhi dje në protestë, gjithashtu edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në mënyrë që të hapim edhe një etapë të re të punëve të përbashkëta, të agjendës së përbashkët dhe natyrisht bashkëpunimin e ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare.  Prandaj, përsëri ftesa jonë është që të ndodhë dialogu dhe përmes këtij dialogu ndërinstitucional, ndërpolitik, të ecim përpara në realizimin e objektivave tona madhore edhe zhvillimore edhe euroatlantike”, tha zëvendëskryeministri Hashim Thaçi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)