Qeveria e Kosovës dënon vrasjet dhe represionin në Siri
Prishtinë, 7 shkurt - Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme, ka përcjellë me shqetësim rrjedhën e ngjarjeve në Siri dhe dënon ashpër vrasjet dhe represionin që po ushtron regjimi sirian mbi popullsinë e pafajshme.
Republika e Kosovës mbështet fuqishëm popullin sirian në zgjedhjen e fatit të vet dhe përkrah pa asnjë rezervë përpjekjet e qytetarëve sirianë kundër regjimit represiv.
Qeveria e Kosovës, po ashtu mbështet masat e Ligës Arabe e të Komunitetit Ndërkombëtar kundër regjimit sirian dhe bën thirrje për të ndalur sa më parë dhunën e skajshme dhe vrasjet në Siri.
Institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës janë të bindur që shumë shpejt populli sirian do të realizojë synimet e tij dhe do të jetojë në paqe e prosperitet.