Qeveria e angazhuar për bashkëpunim me KFOR-in
Prishtinë, 2 shtator - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është takuar sot me komandantin e ri të KFOR-it, Erhard Buhler, i cili dje ka marr detyrën e komandës së trupave të KFOR-it.
Kryeministri Hashim Thaçi pasi i uroi mirëseardhje gjeneralit Buhler, shprehu angazhimin e Qeverisë së Kosovës dhe të tij personalisht, për një bashkëpunim të mirë dhe funksional me KFOR-in, për sigurimin e paqes dhe zhvillimit në të mirë të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në krijimin e një ambienti sa më të sigurt dhe është e angazhuar në bashkëpunimin me KFOR-in dhe të gjithë faktorët e tjerë, që të kontribuojë për paqen dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, është shprehur kryeministri Hashim Thaçi.
Edhe gjenerali Erhard Buhler ka shpreh gatishmërinë për bashkëpunim dhe vazhdim të punës së KFOR-it në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në Kosovë dhe në avancimin dhe forcimin e strukturave të sigurisë së Kosovës.