Qeveria do të shtojë angazhimet në procesin e liberalizimit të vizave
Prishtinë, 13 mars - Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi priti në një takim pune përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar.
Në këtë takim u diskutua për procesin e liberalizimit të vizave, sundimin e rendit dhe ligjit, me theks të veçantë ne veri të Republikës së Kosovës dhe mbështetjen që Bashkimi Evropian i ofron Kosovës në këtë drejtim, përmes mekanizmave të saj që veprojnë në Kosovë.
Me këtë rast, ministri Rexhepi vuri në dukje angazhimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme në implementimin e detyrimeve që dalin nga procesi i liberalizimit të vizave.
Ai, premtoi që Qeveria e Republikës së Kosovës do të shtojë angazhimet dhe kapacitetet në zbatimin e të gjitha obligimeve që dalin nga ky proces, me marrjen e udhërrëfyesit në të ardhmen e afërt dhe ritheksoi angazhimin për qasje konstruktive në zbatimin e ligjit dhe vendosjen e rendit në veri të Republikës së Kosovës.
Ndërsa, përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, vlerësoi progresin e arritur dhe theksoi se pas vendimeve të marra në Bruksel, për avancimin e perspektivës Evropiane të Kosovës, duhet të vazhdohet me ndërmarrjen e reformave dhe arritjen e progresit në mënyrë që Kosova të zë hapin e shteteve tjera të rajonit, në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.