Qeveria do të raportoj në kuvend pë arrestimin e policëve
Prishtinë 3 prill - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka shqyrtuar propozimin e datës për vazhdimin e seancës plenare, të ndërprerë më 29 mars 2012.
Pas një diskutimi të gjatë të kësaj çështjeje, kryeparlamentari Krasniqi ka vendosur ta thërrasë vazhdimin e seancës, ditën e enjte, më 5 prill 2012.
Anëtarët e Kryesisë dhe shefat e grupeve parlamentare janë pajtuar që pikë e parë e kësaj seance të jetë raporti i Qeverisë së Kosovës për arrestimin nga Serbia të policëve të Republikës së Kosovës.
Shefat e grupeve parlamentare nga radhët e opozitës (LDK, VV, dhe AAK), ndërkaq, kanë këmbëngulur që paraprakisht të tërhiqet nga Qeveria Projektligji nr. 04/L-93 për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe Institucionet financiare jobankare.
Ata kanë kërkuar që të ndryshohet dhe të plotësohet Ligji për Bankat, por kanë tërhequr vëmendjen që nëse vihet në rend dite projektligji në fjalë, për shkak të i të cilit ishte ndërprerë seanca, atëherë deputetët nga radhët e këtyre grupeve parlamentare nuk do të marrin pjesë në vazhdimin e seancës, të ndërprerë më 29 mars 2012.