Qeveria do të mbështet realizimin e projekteve të Lipjanit
Prishtinë, 19 gusht - Në kuadër të vizitave nëpër komunat e Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi sot ka vizituar Komunën e Lipjanit.
Kryeministri Thaçi ka përgëzuar udhëheqjen komunale të Lipjanit për qeverisjen e mirë dhe punën e suksesshme që janë duke e bërë.
Ndryshimet pozitive që janë duke ndodhur janë duke i ndier të gjithë qytetarët e kësaj komune, që janë rezultat i investimeve të institucioneve qendrore dhe komunale theksoi kryeministri Thaçi duke shtuar se projektet që janë në proces do të vazhdojnë të implementohen.
Qeveria do të mbështet realizimin e të gjitha këtyre projekteve duke mbështetur shpërndarjen e investimeve në të gjitha vendbanimet e Komunës së Lipjanit.
Kryeministri ka premtuar se do të vazhdojë të përkrah udhëheqjen komunale në Lipjan në ndërtimin e qeverisjes së mirë, efikase dhe transparente dhe në funksion të rritjes së mirëqenies së gjithë qytetarëve të Komunës së Lipjanit.
Kryetari i Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, e informoi kryeministrin Hashim Thaçi për realizimin e një varg projektesh, po ashtu edhe për projektet tjera që janë në zhvillim e sipër. Zoti Buja, falënderoi kryeministrin Thaçi dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për ndihmat dhe mbështetjen që kanë dhënë për Komunën e Lipjanit.