Qeveria do ta miratojë të premten Projektligjin për Specialen
Prishtinë, 25 qershor - Qeveria ka hartuar një draft-agjendë për të premten, sipas së cilës këtë ditë do të ketë një mbledhje të jashtëzakonshme që do ti dedikohet shqyrtimit dhe miratimit të Projektligjit për Specialen.
Të njëjtën ditë pritet që edhe Kuvendi ta aprovojë atë, nëpërmjet një procedure të përshpejtuar, shkruan sot Koha Ditore.
Në fund të javës së shkuar, kabineti qeveritar e ka përcjellë në Legjislativ këtë Projektligj, por vetëm për informim të deputetëve dhe pa të drejtën për shqyrtim a votim.
Kjo nga shkaku që, me propozim të subjekteve në pushtet, një muaj më parë është shtyrë seanca për votimin e amendamenteve kushtetuese që kanë të bëjnë me Specialen, me arsyetimin se deputetët nuk e posedonin para vetes edhe Projektligjin.
Ishte arsyetim formal, ngaqë shtyrja qe bërë në mungesë votash. Megjithëkëtë, Kuvendi i qëndroi pas arsyetimit dhe ishte përcaktuar që, kurdo që ti vërë amendamentet në rend dite, ta qesë para deputetëve për votim edhe Projektligjin.
Kryesia e Kuvendit ka caktuar seancë plenare për të premten, në të cilën është paraparë të shqyrtohen dhe votohen amendamentet.