Qeveria dënon vrasjen e këshilltarit komunal të Komunës
Prishtinë, 16 janar - Qeveria e Republikës së Kosovës dënon vrasjen e këshilltarit komunal të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Dimitrije Janiqijeviq, i zgjedhur nga qytetarët në zgjedhjet e fundit komunale, që për herë të parë u zhvilluan edhe në pjesën veriore të Kosovës.
Kjo vrasje është një akt i rëndë dhe qyqar dhe si i tillë është i dënueshëm nga qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Është një sulm i drejtpërdrejtë kundër vullnetit të qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe kundër vendosjes së sundimit të rendit, ligjit dhe institucioneve legjitime edhe në atë pjesë të territorit të Kosovës.
Qeveria thekson se është e vendosur që me të gjitha kapacitetet e saj institucionale të vazhdojë përkushtimin për funksionalizimin e plotë të institucioneve demokratike, të zgjedhura nga qytetarët në pjesën veriore të Kosovës.
Qeveria kërkon nga organet kompetente që të ndërmarrin të gjitha masat që kryesit e kësaj vrasjeje të nxirren para organeve të drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.