Qeveria dënon vrasjen e drejtorit të Drejtorisë së Arsimit
Prishtinë, 3 tetor - Qeveria e Republikës së Kosovës dënon aktin kriminal të vrasjes së drejtorit të Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Prishtinës, Remzi Salihu.
Ky është një sulm i rëndë kundër institucioneve të Republikës së Kosovës dhe cenim i rëndë i integritetit të zyrtarit instiucional në vendin e tij të punës.
Qeveria kërkon nga organet kompetente që të ndërmarrin të gjitha masat adekuate që kryesit e këtij akti kriminal sa më shpejtë të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.
Qeveria e Republikës së Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Salihu.