Qeveria dënon fuqishëm dhunën e ushtruar ndaj KFOR-it

Prishtinë, 27 shtator - Qeveria e Republikës së Kosovës dënon fuqishëm dhunën e ushtruar ndaj forcave paqëruajtëse të KFOR-it nga ana e strukturave kriminale në afërsi të vendkalimit kufitar në Jarinje.
Qeveria shpreh vendosmërinë e saj për vendosjen e plotë të rendit dhe ligjit edhe në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës, për zhbllokimin e rrugëve, për lirinë e lëvizjes, në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Reagimet e dhunshme që kanë ndodhur sot ndaj ushtarëve të KFOR-it janë reagime të njerëzve që janë kundër sundimit të rendit dhe ligjit, që identifikohen me struktura kriminale, me kontrabandë dhe krim të organizuar.
Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë përkushtimet e veta të fuqishme për forcimin e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, në koordinim të plotë me KFOR-in, EULEX-in dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtarë.
Qeveria fton qytetarët serbë të pjesës veriore të vendit që të mos mbështesin njerëzit e dhunshëm dhe të mos mbesin peng i strukturave kriminale, por të kenë besim tek institucionet legjitime të Kosovës, për ti hapur perspektivë zhvillimit dhe integrimit të gjithmbarshëm.