Qeveria dënon fuqimisht dhunën e Vetëvendosjes ndaj Tahirit
Prishtinë, 4 shtator - Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh indinjatën dhe dënon fuqimisht manifestimin e dhunës dhe vandalizmit ndaj zëvendëskryeministres së Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, në Aeroportin Ndërkombëtarë Adem Jashari të Prishtinës, pas kthimit nga Brukseli.
Sulmi, i cili është kryer nga individë të deklaruar si aktivistë të Lëvizjes politike Vetëvendosje, është një akt politikisht i papërgjegjshëm dhe në kundërshtim me ligjin. Ky akt është vandal dhe manifestim huliganizmit për qëllim të përfitimit politik.
Qeveria e Kosovës është e angazhuar në procesin e dialogut të barabartë me Serbinë, për zgjidhjen e të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me raportet në mes të dy shteteve. Kjo rrugë do të qojë në njohjen reciproke të dyja shteteve dhe në normalizimin e marrëdhënieve në rajon.
Qeveria e Kosovës do të vazhdojë angazhimet e saja për të konsoliduar shtetin e Kosovës, për mirëqenien e qytetarëve të vet dhe të forcoj partneritetin e vetë me të gjitha strukturat ndërkombëtare në procesin e integrimeve euroatlantike.
Qeveria e Kosovës kërkon nga organet e sigurisë dhe drejtësisë në Republikën e Kosovës që të gjitha aktet e dhunës dhe huliganizmit të trajtoje, pa marr parasysh se nga cila anë vijnë. Sundimi i rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës nuk ka dhe nuk do të ketë alternativë. Ata që kundërshtojnë këtë, pavarësisht se nga vijnë, nuk do të kenë perspektivë në shtetin e lirë dhe demokratik të Kosovës.