20 Janar 2025

Qeveria dënon djegien e veturës familjare të Bajram Gecajt

Prishtinë, 24 shkurt - Qeveria e Republikës së Kosovës dënon sulmin e radhës të djegies së veturës familjare të zëvendësministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, sulmi i dytë i kryer në paraditen e sotme, pas atij ndaj makinës familjare të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi.

Edhe ky akt i ulët kriminal, i drejtuar ndaj familjarëve të përfaqësuesve të popullit, dëshmon rrugën kriminale që disa përfaqësues politikë kanë zgjedhur dhe të cilët drejtpërdrejt ose tërthorazi po nxisin kryerjen e krimeve të tilla, në kundërshtim me çdo kod etik e moral dhe traditë të popullit të Kosovës.

Sulmet fizike, pengimi i punës së institucioneve, hedhja e gazit e sprejeve lotsjellës dhe djegiet e makinave zyrtare e private, të nxitura nga qarqe anarkiste dhe antiperëndimore politike, dëshmojnë përpjekjet e tyre që të shkatërrojnë të arriturat në Kosovë, të stopojnë rrugën euroatlantike dhe partneritetin e Kosovës me SHBA-të dhe vendet tjera mike.

Duke ftuar organet kompetente që të marrin masat e duhura ligjore ndaj kryesve dhe nxitësve të këtyre sulmeve, Qeveria e Kosovës fton përfaqësuesit politikë që të shmangin nxitjen e dhunës dhe akteve kriminale.

Qeveria e Kosovës, po ashtu, vlerëson punën dhe përkushtimin e ministrit Memli Krasniqi dhe zëvendësministrit Bajram Gecaj, në avancimin e proceseve shtetndërtuese në Kosovë.

Sulmet kriminale dhe përpjekjet për zhytjen vendit në anarki, nuk mund ta ndalin rrugën e popullit dhe të Qeverisë së Kosovës drejt integrimeve euroatlantike, vlerave demokratike perëndimore dhe as partneritetin me SHBA-të dhe vendet tjera kontribuese për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë në Kosovë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)