19 Janar 2025

Qeveria aprovon strukturën e brendshme të MAP, MASHT e MZHE

Prishtinë, 18 dhjetor - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt në të cilën ka aprovuar rregullore, udhëzime administrative dhe vendime të ndryshme nga fushat e saja të përgjegjësive ligjore dhe kushtetuese.
 
Në mbledhjen e sotme, Qeveria ka aprovuar tri rregullore që përcaktojnë organizimin dhe strukturën e brendshme të tri ministrive: Ministrisë së Administratës Publike, Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Është aprovuar edhe Udhëzimi Administrativ për Arsenin, Kadmiumin, Merkurin, Nikelin dhe Hidrokarburet Aromatike Policiklike në Ajër, i cili synon që të krijojë vlerën e përqendrimit të këtyre elementeve kimike në ajër për të shmangur, parandaluar ose reduktuar efektet e dëmshme në mjedis dhe në shëndetin e njerëzve.

Gjithashtu, udhëzimi synon të sigurojë ruajtjen e cilësisë së ajrit dhe të përcaktojë metodat dhe kriteret e vlerësimit e përqendrimit të këtyre elementëve kimik në ajër. Udhëzimi synon gjithashtu që të sigurojë informatat për publikun për përqendrimin dhe depozitimin e arsenit, kadmiumit, merkurit, nikelit dhe të hidrokarbureve aromatike policiklike në ajër.

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme, ka miratuar vendimin për themelimin e Grupit   Këshillëdhënës dhe Koordinues në nivelin Nacional të Republikës së Kosovës  për  të  drejtat e  komunitetit LGBT (Lesbike, Gei, Biseksual dhe Transgjender).

Ky Grup Këshillëdhënës dhe Koordinues  për të drejtat e  komunitetit LGBT themelohet me qëllim që të krijohet një partneritet dhe bashkëpunim i rregullt ndërmjet institucioneve vendore, ndërkombëtare dhe organizatave joqeveritare që punojnë për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komunitetit LGBT.

Është aprovuar edhe Raporti i Vlerësimit të Rrezikut Kombëtarë Kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit në Kosovë për vitin 2013, hartuar nga Njësia e Inteligjencës Financiare të Kosovës.

Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës obligon Ministrinë e Financave që në bashkëpunim me institucionet tjera të adresojë të gjeturat e vlerësimit të rrezikut kombëtarë përmes një strategjie përkatëse kundër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe të parandalimit të ekonomisë joformale.

Edhe Raporti i vlerësimit të rishikimeve të shpenzimeve publike dhe llogaridhënies financiare për vitet 2010-2012, është miratuar nga Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme. Ministria e Financave është ngarkuar që të hartojë Planin e Veprimit për Reformën e Menaxhimit të Financave Publike të bazuar në raportin për vitin 2013.

Me vendimin e  aprovuar sot nga kabineti qeveritar, është  anuluar vendimi Qeverisë së Kosovës Nr.06/156 të datës 13.11.2013 për rindarjen e mjeteve buxhetore të viti 2013. Sipas këtij vendimi, mjetet e ndara për Ministrinë e Integrimeve Evropiane, do të trajtohen si kursime, për shkak se vet Ministria e Integrimeve Evropiane ka deklaruar se nuk ka mundësi t’i shpenzojë brenda viti buxhetor.

Kabineti Qeveritar ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 4,500,000 euro për pagesën e skemave pensionale për vitin 2013.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka  emëruar kryesues të Këshillit të Kosovës për Raportim Financiar, z.Gem Maloku, i propozuar nga Oda Ekonomike e Kosovës.

Qeveria ka miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim të pronave të paluajtshme që preken nga ndërtimi i segmentit rrugorë që lidhë Autostradën Vërmicë-Merdare me Autostadën Prishtinë-Hani i Elezit dhe rrugën magjistrale M2.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)