Qeveria aprovon Raportin Nëntëmujor të Buxhetit
Prishtinë, 29 tetor - Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt në të cilën ka shqyrtuar Raportin Nëntëmujor të Buxhetit për vitin 2014, dhe ka miratuar vendime tjera të përgjegjësive të saja kushtetuese dhe ligjore.
Në hapje të mbledhjes, kryeministri Hashim Thaçi në emër të Qeverisë së Kosovës ka dënuar aktet vandaliste të mbishkrimeve në objektet e kultit dhe të trashëgimisë kulturore të Kosovës të komunitetit serb, si dhe sulmet mbi pronat e pjesëtarëve të këtij komuniteti, të ndodhura gjatë ditëve të kaluara.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës ka shqyrtuar dhe aprovuar Raportin Nëntëmujor të Buxhetit për vitin 2014, të cilin e ka përgatitur dhe prezantuar Ministria e Financave. Sipas këtij raporti pasqyra e pranimeve dhe pagesave në para të gatshme për buxhetin e Kosovës për periudhën Janar 30 shtator 2014 është 1, 059 390 000 euro (një miliardë e pesëdhjetë e nëntë milion e treqind e nëntëdhjetë mijë), ndërsa pagesat janë 1, 009 880 000 (një miliardë e nëntë milion e tetëqind e tetëdhjetë mijë euro).
Në vazhdim të mbledhjes, Qeveria ka miratuar vendimin për transferin rregullimin e brendshëm të ndarjeve buxhetore brenda Ministrisë së Financave, në shumë prej 1,521,612 euro. Këto mjete transferohen në Programin e Bashkëfinancimit me IPA, në Programin Administrata Tatimore e Kosovës, në Programin Administrata Qendrore dhe në Programin e Thesarit.
Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për shpërndarjen e kontigjencës për paga në organizata buxhetore, në pajtim me Ligjin për Buxhetin për vitin 2014.
Është miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës është miratuar në parim nisma për lidhjen e Marrëveshjes Korrnizë me Komisionin Evropian për zbatimin e asistencës financiare në kuadër të instrumentit të asistencës së para-antarësimit (IPA II).
Është miratuar edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për themelimin e komisionit për licencimin e mallrave dhe shërbimeve strategjike. Në këtë komision në vend të z.Izer Arifi emërohet znj.Zana Kotorri dhe në vend të z. Behram Mazreku emërohet z. Arton Muçaj.
Ministri i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, ka njohur për rrjedhën e punës së Komisionit Qeveritar për njohjen e statusit të veteranit, invalidit dhe dëshmorit të luftës së UÇK-së. Sipas ministrit Çeku, komisioni pritet të përfundojë punën brenda këtij viti.
Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, ka njohur kabinetin qeveritar me procesin e ndërkombëtarizimit të sportit kosovarë, duke vlerësuar lartë rëndësinë që ka pranimi i Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtarë, që do të mundësojë edhe pjesëmarrjen e sportistëve kosovarë në Lojërat Olimpike 2016 në Brazil.