Qeveria aprovon Projektligjin për sistemin e lejeve dhe licencave
Prishtinë, 5 qershor - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt, në të cilën ka aprovuar vendime dhe projektligje nga fushat e saj të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Vendimi i parë i kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme ka qenë aprovimi i Projektligjit për sistemin e lejeve dhe licencave.
Qëllimi i këtij projektligji është të vendos parimet dhe rregullat për veprimtarit private dhe publike, dhe kufizimet në fushatë që kanë të bëjnë me mbrojtje të shëndetit publik, sigurisë publike, mjedisit dhe përdorimit të resurseve natyrore në Republikën e Kosovës.
Në mbledhjen e sotme qeveria ka miratuar vendimin për aprovimin e dizajnit të uniformës policore, uniformës së punës, uniformës solemne dhe uniformës së togut të nderit të Policisë së Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka aprovuar politikat strategjike për Shërbimin Postar 2013-2017. Qëllimi i këtyre politikave është krijimi i kornizës strategjike për zhvillimin e sektorit të shërbimeve postare, caktimi i objektivave, kushteve dhe promovimit duke siguruar cilësi në këto shërbimeve.
Koncept dokumentet e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik: për hartimin e projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për energjinë, për hartimin e projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për rregullatorin e energjisë elektrike dhe koncept dokumentin për hartimin e projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për energjinë elektrike, janë aprovuar nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme.
Në mbledhje janë miratuar edhe vendimet për ndryshimin dhe plotësimin e vendimeve: për themelimin e Komisionit Qeveritar për Privatizimin e PTK-së, për themelimin e Komisionit Qeveritar për Privatizimin e Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe furnizim të Energjisë dhe për themelimin e Komisionit Ministror për çështjet e Ndërmarrjeve Publike.
Këto ndryshime do të reflektojnë në përbërjen e këtyre komisioneve, duke reflektuar edhe ndryshimet e fundit në Qeverinë e Kosovës. Anëtarë dhe kryesues në këto tri komisione do të jetë Fadil Ismaili, Ministër i Zhvillimit Ekonomik.
Kabineti qeveritar ka aprovuar edhe vendimin për emërimin e Blerim Sokoli në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Meteorologjisë së Kosovës dhe vendimin për emërimin e Osman Hajdinin, drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë së Akreditimit të Kosovës.
Qeveria e Kosovës i ka rekomanduar presidentes dhënien e autorizimit për ministrin e FSK-së, për kryerjen e veprimeve të ndërlidhura me marrëveshjet ndërkombëtare për statusin e anëtarëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe të Forcës së Sigurisë së Republikës së Kosovës, gjatë qëndrimit të tyre të përkohshëm në territorin e shteteve respektive.
Në mbledhje është miratuar edhe vendimi përfundimtar për shpronësimet dhe vlerësimet shtesë me interes publik, të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të cilat preken nga ndërtimi i Autostradës Vermicë-Merdarë, Sektori 9 Zonat Kadastrale, Mazgit dhe Llazarevë të Komunës së Obiliqit dhe Zonat Kadastrale Bërnicë e Poshtme, Bardhosh dhe Trudë të Komunës së Prishtinës.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka njohur kabinetin qeveritar me procesin e miratimit të Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes së parë të ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe Planit të Zbatimit për këtë marrëveshje, i cili pritet të futet në rend dite në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës.
Gjithashtu zëvendëskryeministri Kuçi ka njohur kabinetin qeveritar me procesin e përgatitjeve për hartimin dhe miratimin e Ligjit për amnistinë, duke theksuar se ky ligj do të adresojë çështjet e amnistisë për të gjithë qytetarët e saj pa dallim etnie dhe territori. Miratimi i këtij ligji, ka theksuar zëvendëskryeministri Kuçi, kërkon një konsensus politik dhe institucional, dhe duhet të votohet nga dy të tretat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Qeveria ka emëruar për sekretar të përgjithshëm në Ministrin e Punëve të Brendshme, z.Driton Gashi.
Për nevojat e realizimit të projektit të shtratit të lumit Mirusha në Gjilan, me kërkesën e komunës së Gjilanit, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve shtesë për shpronësimin e pronave që preken nga realizimin i këtij projekti.