17 Janar 2025

Qeveria aprovon Projektligjin për Amnistinë

Prishtinë, 5 qershor - Nën drejtimin e Kryeministrit Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e rregullt në të cilën ka aprovuar Projektligjin për Amnistinë, Projektligjin për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar dhe Strategjinë qeveritare për bashkëpunim me shoqërinë civile.

Kabineti qeveritar ka aprovuar Projektligjin për Amnistinë dhe e ka riproceduar për miratim në Kuvendin e Kosovës. 

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka prezantuar ndryshimet e bëra në Projektligjin për Amnistinë, duke bërë të ditur se neni 3 është hequr në tërësi, dhe poashtu  është shtuar neni që thotë se “të gjitha veprat penale që kanë rezultuar me lëndime trupore dhe me vrasje nuk do të amnistohen”. 

“Poashtu dua të them se gjatë takimit sot edhe me partitë tjera politike, me LDK-në dhe AAK-në, jemi pajtuar që ky projektligj të procedohet në Kuvend dhe javën tjetër të miratohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës” ka thënë zëvendëskryeministri Kuçi.

Projektligji i dytë i miratuar sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës është Projektligji për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar. Projektligji rregullon kushtet dhe procedurat për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështje penale mes Republikës së Kosovës dhe shteteve të tjera, në qoftë se nuk është përcaktuar ndryshe me marrëveshje ndërkombëtare.

Sipas projektligjit, bashkëpunimin juridik ndërkombëtar mund të realizohet edhe në lidhje me organizatat apo institucionet ndërkombëtare, atëherë kur është i nevojshëm. Në mungesë të një marrëveshje ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shtetit të huaj, bashkëpunimi juridik ndërkombëtar mund të ofrohet mbi bazën e parimit të reciprocitetit.

Procedurat gjyqësore të ofrimit të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar rregullohen me dispozitat e procedurës penale, përveç nëse ndryshe është paraparë me këtë Ligj. Republika e Kosovës duhet të zbatoj formalitetet dhe procedurat  e përmendura shprehimisht nga shteti kërkues, nëse formalitetet dhe procedurat e tilla nuk janë në kundërshtim me parimet themelore të së drejtës vendore.

Strategjia për bashkëpunim me shoqërinë civile 2013-2017, e miratuar sot nga kabineti qeveritar, synon gjetjen e formave të bashkëpunimit, përfshirjes së shoqërisë civile në politikë bërje dhe përkrahjes së organizatave të shoqërisë civile.

Qeveria e Republikës së Kosovës, me hartimin e kësaj Strategjie, përkushtohet të:

· njohë dhe vlerësojë rolin dhe punën e shoqërisë civile në ndërtimin e një shoqërie demokratike;

· të krijojë një mjedis përkrahës dhe të favorshëm për zhvillimin e shoqërisë civile;

· të vendosë mekanizmat qeveritar që do të mundësojnë një bashkëpunim të strukturuar në mes të qeverisë dhe shoqërisë civile;

· të përcaktojë qartë obligimet dhe detyrat për secilin institucion qeveritar për këtë bashkëpunim;

· të përcaktojë mekanizmat monitorues për zbatim e kësaj strategjie si dhe

· të inkurajojë shoqërinë civile në zbatimin e parimeve të qeverisjes së mirë brenda sektorit, përfshirë promovimin e një qasje konstruktive e profesionale karshi qytetarëve dhe institucioneve qeveritare.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)