16 Janar 2025

Qeveria aprovon planin e veprimit për Liberalizimin e Vizave

Prishtinë, 10 prill - Nën drejtimin e Kryeministrit Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e rregullt në të cilën ka miratuar  dokumente dhe vendime nga fushat e saja të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Në hapje të mbledhjes, kryeministri Thaçi ka bërë një ekspoze lidhur me zhvillimet aktuale politike në vend, me theks të veçantë procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë. Në vazhdim po e prezantojmë të plotë fjalimin e kryeministrit Thaçi në mbledhjen e sotme të Qeverisë:

“Dëshiroj në fillim të kësaj mbledhjeje të theksoj, se Qeveria e Republikës së Kosovës, ashtu siç janë informuar edhe të gjithë faktorët tjerë relevantë, është e informuar me refuzimin që pala serbe i bëri propozimit të baroneshës Ashton, për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Propozimet e bëra nga Bashkimi Evropian, konkretisht nga baronesha Ashton, ishin në funksion të paqes, stabilitetit dhe evropianizimit të rajonit, dhe të cilat do të shënonin edhe fillimin e përmbylljes së një konflikti historik në rajon.

Tashmë, Kosova ka bërë një varg kompromisesh që kulmuan me pakon gjithëpërfshirëse të presidentit Ahtisari. Po ashtu edhe për gjatë tërë këtij procesi, Qeveria dhe institucionet e Kosovës kanë qenë të gatshme për vendime jo të lehta, por në dobi të Kosovës dhe të ardhmes së saj evropiane. Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdon të besojë se dialogu është zgjidhja e vetme dhe mbetet e përkushtuar për këtë proces.

Qeveria e Kosovës beson plotësisht në përkushtimet e baroneshës Ashton dhe adresën e vetme të informimit dhe prezantimit të opinioneve të veta, Beogradi do ta ketë Brukselin dhe kabinetin e baroneshës Ashton, aty ku janë zhvilluar takimet për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Dëshiroj të falënderoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme dhe qëndrimin unik të të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian në mbështetje të baroneshës Ashton.

Ritheksoj, me normalizimin e raporteve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, do të ishin fitues edhe Kosovës, edhe Serbia, edhe rajoni, edhe BE-ja; do të ishin me interes të madh edhe investimet e të SHBA-ve në këtë proces dhe gjithë mekanizmave relevantë ndërkombëtarë.

Prandaj, Prishtina do të angazhohet maksimalisht që të përmbyllë këtë proces në bazë të përkushtimeve tona që kemi, duke respektuar gjithmonë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, për çka jemi në kontakt të vazhdueshëm me baroneshën Ashton, të cilën e inkurajojmë, ashtu siç është zotuar, të përmbyll këtë proces të domosdoshëm për paqe dhe stabilitet, si dhe falënderojmë për rolin e shkëlqyeshëm dhe brilant në udhëheqje”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi në hapje të mbledhjes.

Qeveria e Kosovës ka aprovuar Planin e Veprimit për Liberalizimin e Vizave, i cili adreson kriteret  e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave dhe të rekomandimeve të dala nga Raporti i parë vlerësues i Bashkimit Evropian për zbatimin e Udhërrëfyesit. Plani përfshinë aktivitetet që janë në përgjegjësi të të gjitha institucioneve vendore.

Qëllimi i këtij Plani është që të përmbledhë kriteret që përmban Udhërrëfyesi për Liberalizimin e Vizave dhe rekomandimet e Komisionit Evropian.

Plani përmban veprime konkrete dhe indikatorë matës, të cilët do të shfrytëzohen  për monitorimin e zbatimit të kritereve.

Gjithashtu, në planë janë të identifikuara në mënyrë të qartë dhe të hollësishme institucionet përgjegjëse dhe përkrahëse, afatet kohore si dhe buxhetimi shtesë për zbatimin e këtyre kritereve dhe rekomandimeve.

Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe vendimi për përcaktimin dhe kategorizimin e Pikave të Kalimit Kufitar të Republikës së Kosovës, për transportin rrugor, hekurudhor dhe ajrorë të Republikës së Kosovës.

Pikat e kalimit kufitar për trafikun rrugorë në mesë të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë janë:

·         Vërmica;

·         Orqusha;

·         Shishtaveci;

·         Glloboqica/Borje;

·         Qafa e Prushtit; dhe

·         Qafa e Morinës.

Pikat e kalimit kufitar për trafikun rrugor në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi është:

·         Kulla;

Pikat e kalimit kufitar për trafikun rrugor në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë janë:

·         Bërnjaku;

·         Jarinjë;

·         Merdarë;

·         Mutivoda;

·         Dheu u Bardhë; dhe

·         Muqibaba.

Pikat e kalimit kufitarë për trafikun rrugorë në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë janë:

·         Hani i Elezit

·         Glloboçica.

Pika të kalimit kufitar për trafikun hekurudhor në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë është:

·         Hani i Elezit.

Pika e kalimit kufitar për trafikun hekurudhor në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë është:

·         Leshaku.

Pika e kalimit kufitar për trafikun ajror në Republikën e Kosovës është:

·         Aeroporti Ndërkombëtarë i Prishtinës “Adem Jashari”.

Sipas rëndësisë dhe veprimtarisë, pikat e kalimit kufitar të trafikut rrugor, hekurudhorë dhe ajror kategorizohen në kategoritë A,B dhe C.

Në kategorinë A janë:Aeroporti Ndërkombëtarë i Prishtinës “Adem Jashari”; Vermica; Merdari; Jarinjë; Hani i Elezit; Dheu i Bardhë; Kulla; dhe Stanqiqi.

Këto pika janë të hapura 24 orë në ditë dhe shërbejnë për qarkullimin e personave, mjeteve dhe mallrave.

Në këto pika të kalimit kufitar duhet të jenë prezent vazhdimisht zyrtarët e Policisë së Kosovës, të Doganës së Kosovës dhe të Agjensionit të Ushqimit dhe Veterinës.

Në kategorinë B janë:Mutivoda; Muqibaba; Glloboqica; Qafa e Prushit; Qafa e Morinës dhe Bernjaku.

Pikat e kalimit kufitar të kategorisë B janë të hapura 24 orë dhe shërbejnë për qarkullim të mjeteve, personave dhe mallrave.

Në këto pika të kalimit kufitar zyrtarët e Policë së Kosovës duhet të jenë prezent 24 orë, ndërsa zyrtarët e doganës dhe agjensionit të ushqimit dhe veterinës në intervale kohore sipas marrëveshjeve bilaterale të të dyja vendeve.

Në kategorinë C janë: Krusheva; Orqusha;  dhe Glloboqica/Borje.

Në pikat e kalimit kufitarë të kategorisë C, janë vetëm për qarkullim të personave dhe janë të hapura në intervale kohore në pajtim me marrëveshjet bilaterale me shtet fqinjë.

Me vendimin e miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, është emëruar Këshilli Kombëtar për Zona Ekonomike në këtë përbërje:

1. Valdrin Lluka  – Ministria e Tregtisë dhe Industrisë  / Kryesues;

2. Nashide Bajrami – Ministria e Financave /Anëtare;

3. Agim Kukaj – Ministria e Zhvillimit Ekonomik/Anëtar;

4. Ekrem Gjokaj – Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural    /Anëtar;

5. Besim Kamberaj – Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal  /Anëtar;

6. Naim Ismajli –  Asociacionit të Komunave të Kosovës /Anëtar;

7. Arian Zeka – Oda Ekonomike Amerikane /Anëtar;

8.  Muharrem Osmani – Aleanca Kosovare e Biznesit /Anëtar;

9.  Lumnije Hashani  – Oda Ekonomike e Kosovës  /Anëtare;

Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe vendimi për shqyrtimin e mëtejmë për shpronësim, për interesin publik të pronave të paluajtshme të cilat ndodhen në Zonat kadastrale të Balincës, Llazicës, Mleqanit, dhe të Kijevës, të cilat prekën nga ndërtimi i rrugës nacionale N9, Prishtinë – Pejë, përkatësisht segmenti Gjurgjicë-Arllat.

Është miratuar edhe vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësime të pronave të paluajtshme të cilat prekën nga ndërtimi i rrugës nacionale N2, Prishtinë –Mitrovicë, segmenti Milloshevë-Vushtrri. Pronat janë në zonat kadastrale Babimoc, Milloshevë të komunës së Obiliqit dhe Stanovc i Poshtëm dhe Stanovc i Epër, Gracë, Pestovë, Novosellë e Maxhunit, Velika Rekë dhe Dumnicë e Poshtme të Komunës së Vushtrrisë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)