19 Janar 2025

Qeveria aprovon nismën për ndryshimin e Kushtetutës

Prishtinë, 6 mars - E drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt, në të cilën ka aprovuar nismën për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës dhe Projektligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.

Duke prezantuar projketamandamentimet e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se duke u bazuar në rrjedhat e miratimit të analizës të Rishikimit të Sektorit të Sigurisë të Republikës së Kosovës, të miratuar nga Qeveria në mbledhjen të mbajtur me 4 mars 2014, si dhe duke marrë parasysh rekomandimet e dala nga kjo analizë, tanimë janë përgatitur amendamentet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Amendamentet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, janë bërë me qëllim te reflektimit të misionit të ri mbrojtës të mekanizmave në Republikën e Kosovës, që më pas do të pasohet me një kornizë ligjore te kompletuar për misionin e ri që do të kenë Forcat e Armatosura të Kosovës.

Me këto propozime të amendamenteve  në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, po bëhet edhe më i qartë vizioni i Republikës së Kosovës që të bëhet një forcë e stabilitetit dhe sigurisë për popullatën e saj për rajonin dhe më gjerë.

Njëherit, të gjithë këta hapa që po ndërmerr Qeveria e Republikës së Kosovës, janë në pajtim me aspiratat e Republikës së Kosovës që të bëhet pjesë përbërëse e strukturave rajonale dhe globale të sigurisë, në veçanti të NATO-s, Bashkimit Evropian, OSBE-së dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Pra, si rezultat i rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë  në emër të Komitetit Drejtues për Rishikimin e Sektorit të Sigurisë, tani kjo do të përcillet edhe me ndryshimet e mundshme dhe të nevojshme kushtetuese, për sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë.

Fillimisht dëshiroj të theksoj se Neni 126 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, do të plotësohet dhe ndryshohet si në vijim: Forcat e Armatosura të Kosovës,

1) Forca e Armatosura të Kosovës, janë Forca Kombëtare, Ushtarake të Republikës së Kosovës dhe mund të dërgojnë Forca jashtë vendit në përputhje të plotë me përgjegjësitë e saj ndërkombëtare.

2) Forca e Armatosura të Kosovës, mbrojnë sovranitetin, integritetin territorial, qytetarët, pronën dhe interesat e Republikës së Kosovës si dhe kontribuojnë në ndërtimin dhe ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe global.

3) Presidenti i Republikës së Kosovës është komandant Suprem i Forcave e Armatosura të Kosovës, të cilët gjithmonë i nënshtrohen kontrollit të autoriteteve civile të zgjedhura në mënyrë demokratike.

4) Forcat e Armatosura të Kosovës janë forcë profesionale, pasqyrojnë shumëllojshmërinë etnike të popullit të Republikës së Kosovës dhe rekrutohen nga shtetasit e Republikës së Kosovës.

5) Shefi i Mbrojtjes është njëkohësisht edhe komandant i Forcave e Armatosura të Kosovës i cili emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, në bazë të rekomandimit të Kryeministrit. Organizimi i brendshëm i Forcave e Armatosura të Kosovës rregullohet me ligj.

Gjithashtu do të ketë një ndryshim të vogël në Nenin 2, Neni 73, Neni 84, Neni 94, Kapitulli 11 sa i përket sektorit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, Neni 125 sa i përket Parimeve të Përgjithshme.

Gjithashtu Neni 127 sa i përket Këshillit të Sigurisë të Kosovës, Neni 129 Agjencia e Kosovës për Inteligjencë si dhe Nenin 131 që flet për Gjendjen e Jashtëzakonshme, si dhe Neni 77A sa i përket formimit  të Komisionit Parlamentar për Forcat e Armatosura të Kosovës dhe Policinë e Kosovës si organ i pavarur mbikëqyrës për rolin, detyrën dhe përgjegjësitë e Komisionit Parlamentar që do të përcaktohen me ligj të veçantë”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi në fjalën e tij.

Në vazhdim të mbledhjes është shqyrtuar dhe miratuar Projektligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës i cili është hartuar nga Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës, dhe nga Kuvendi i Kosovës është kërkuar që Qeveria e Republikës së Kosovës të paraqes mendimin lidhur me të.

Ky Projektligj ka për qëllim që të rregullojë sistemin zgjedhor, financimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, njohjen dhe mbrojtjen e të drejtës për të votuar, listën e votuesve, regjistrimin  e partive politike dhe certifikimin e subjekteve politike.

Projektligji rregullon edhe përgjegjësit dhe funksionimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Panelit Zgjedhorë për Ankesa dhe Parashtresa, riorganizimin dhe funksionimin e komisioneve dhe këshillave të zgjedhjeve, si dhe  rregullat për akreditimin e vëzhguesve të fushatës dhe procesit zgjedhorë.

Kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar se ky projektligj do të sigurojë standarde edhe më të larta të zgjedhjeve në Republikën e Kosovës. Projektligji ka marr mbështetje unanime nga kabineti qeveritar.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)