28 Prill 2025

Qeveria aprovoi "Vizionin e Kosovës për Shkathtësitë 2020”

Prishtinë, 20 maj -  Qeveria e Republikës së Kosovës, nën udhëheqjen e kryeministrit Isa Mustafa, mbajti mbledhjen e 30-të.

Kryeministri Isa Mustafa njoftoi kabinetin qeveritar për vizitën që ka zhvilluar në Slloveni dhe takimet që ka pasur me kryeministrin slloven, presidentin, kryetarin e Asamblesë Nacionale të Sllovenisë dhe poashtu takimet me njerëz nga komuniteti shqiptar, që punojnë në fusha të ndryshme në shtetin slloven.

Kryeministri theksoi se është rikonfirmuar bashkëpunimi shumë i ngushtë i Republikës së Kosovës me Slloveninë në fusha tepër të rëndësishme, siç është fusha ekonomike, por edhe në procesin e përkrahjes nga Sllovenia për anëtarësimin e Kosovës në institucionet e Bashkimit Evropian dhe në institucionet tjera ndërkombëtare.

“Është treguar vullnet edhe më i madh për bashkëpunim ekonomik dhe jemi marrë vesh që të vijë një delegacion i bizneseve të Sllovenisë dhe të shihet mundësia e bashkëpunimit të tyre me bizneset e tjera ose të investimit të tyre direkt në Kosovë”, tha kryeministri Mustafa.

Kryeministri po ashtu bëri të ditur se gjatë takimeve janë diskutuar edhe çështje aktuale.

“Është aktualizuar edhe çështja e ngjarjeve në Kumanovë të Maqedonisë, meqenëse kanë ndodhë në atë periudhë dhe është shprehur brengosja e dy palëve lidhur me pasojat, viktimat dhe interesi që të mbahet stabiliteti në rajon, stabiliteti në Maqedoni, sepse stabiliteti në Maqedoni nënkupton stabilitetin në rajon dhe në Kosovë, për çfarë ne jemi zotuar se do të ndërmarrim të gjitha veprimet dhe do të ndihmojmë poashtu që ky stabilitet të rivihet dhe që Kosova të mos jetë në asnjë rast burim i destablitetit dhe as që kemi konsideruar se është edhe në këto momente”, theksoi kryeministri Isa Mustafa, duke njoftuar se në këtë vizitë ka qenë edhe një grup i bizneseve, përkatësisht kryetarët e odave ekonomike dhe të asociacioneve të bizneseve, të cilët kanë realizuar takime të veçanta me asociacionet e bizneseve dhe me bizneset sllovene.

Pika e parë e rendit të ditës që u aprovua nga Qeveria është Vendimi për plotësimin dhe ndryshimin e Planit të Dokumenteve Strategjike për vitin 2015.

Qeveria aprovoi edhe dokumentin strategjik “Vizioni i Kosovës për Shkathtësitë 2020” me Udhërrëfyesin, Masat dhe Treguesit e tij dhe themeloi Grupin Ndërministror për zbatimin e këtij dokumenti strategjik, i cili do të përbëhet nga:

1.Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, kryesues;

2. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, bashkëkryesues;

3. Zyra për Planifikim Strategjik/ZKM,  anëtar;

4. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, anëtar;

5. Ministria e Integrimit Evropian, anëtar;

6. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural,anëtar;

7. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, anëtar;

8. Ministria e Financave, anëtar.
 
Qeveria e Kosovës miratoi vendimin përfundimtar për shpronësimet shtesë të cilat preken  nga ndërtimi i Autostradës R6 Prishtinë-Hani i Elezit, Sektori C1.

Poashtu u mor vendimi përfundimtar për shpronësim me krijimin e të drejtës së servitutit për interes publik i pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit publik të cilat preken nga ndërtimi i linjës nr.1806 të NS 110kV Gjakova 1 dhe Gjakova 2.

Qeveria mori vendim për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 21,172 (njëzet mijë e njëqind e shtatëdhjetë e dy) euro për Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë për përmbushjen e kontributeve vjetore për vitet 2014 dhe 2015 të Republikës së Kosovës si anëtar i ri me status vëzhgues.
 
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë u emërua Komisioni i Ndihmës Shtetërore në këtë përbërje:

1.      Ministri i Financave, Kryesues;

2.      Ministri i Integrimeve Evropiane, anëtar;

3.      Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, anëtare;

4.      Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, anëtar;

5.      Përfaqësuesi i shoqërisë civile,  anëtar.

Qeveria mori vendim për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 150,000,00 euro, për përmbushjen e agjendës së Dialogut ndërshtetëror të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, përkatësisht për Ministrinë pa Portofol.

Anëtarëve të Komisionit Kombëtar për Refugjatë sipas vendimit të Qeverisë Nr. 04/70 të datës 18.04.2014 iu vazhdua mandati për 3 (tre) vjet me të drejta dhe përgjegjësi të njëjta, në përputhje me nenin 5 të Rregullores Nr.10/2014 e Punës së Komisionit Kombëtar për Refugjatë.

Qeveria mori vendim për përjashtimin nga fushëveprimi të Ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës, për shkak të sekretit të ligjshëm dhe interesat e sigurisë për Policinë e Kosovës.

Kabineti Qeveritar aprovoi kërkesën e Ministrisë së Diasporës për shtyrjen e afatit të regjistrimit të diasporës dhe mërgatës.

Në të ndryshme, poashtu është miratuar vendimi i propozuar nga Ministria e Financave, që ndërlidhet me vendimin e Qeverisë të datës 15.05.2015 për pagesën e shtesës për përvojën e punës, që ka të bëjë me sigurimin e mjeteve për pagesën e përvojës së punës. Këto mjete, me vendimin e miratuar sot, sigurohen nga kursimet brenda organizatave buxhetore nga kategoria paga dhe mëditje dhe kategoritë tjera ekonomike.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti ka njoftuar kabinetin qeveritar për pjesëmarrjen që e kishte në takimin vjetor të BERZH-ut, ku ai është guvernator në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ministri Hoti ka bërë të ditur se është arritur pajtueshmëri për dy projekte konkrete, ndërsa që ka edhe projekte tjera për të cilat është arritur pajtim në parim.

“Është projekti i rehabilitimit të linjës hekurudhore nga Hani i Elezit deri në kufi në veri me Serbinë. Unë besoj që në korrik finalizohet gjithçka dhe do të mund të nënshkruhet kontrata. Presidenti i BERZH-it do të jetë në Prishtinë për nënshkrimin e kësaj kontrate, dhe vizita e tij është shenjë e respektit dhe bashkëpunimit që ka BERZH me Kosovën. Projekti tjetër është i rrugës Kijevë – Zahaç, kontratë e cila do të nënshkruhet në shtator, eventualisht në tetor”, ka bërë të ditur ministri Hoti.

Poashtu, ministri ka pohuar se studimi i fizibilitetit është bërë për rrugët rajonale  Pejë- Gjakovë- Prizren, Mitrovicë-Pejë, Ferizaj-Gjilan dhe Ujëvarë, për të cilat do të mund të nisin negociatat në fund të vitit apo në fillim të vitit tjetër.

Qeveria poashtu është pajtuar që të lëshoj garanci për ndërmarrjen “Trafiku Urban” në Prishtinë, si dhe për bashkëpunimin me BERZH lidhur me modernizimin e PTK-së. Lidhur me këtë, një ekip nga BERZH-i do të vijë në Kosovë për të parë një plan konkret se si ata e shohin këtë bashkëpunim të tyre me Qeverinë dhe PTK-në.

Ministri i Diasporës, Valon Murati e njoftoi kabinetin qeveritar për përgatitjet që  po i bënë Ministria e Diasporës dhe për nënshkrimin e memorandumeve me të gjitha komunat e Kosovës me qëllim të pritjes së mërgimtarëve gjatë muajve të verës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)