Qeveria aprovoi Projektligjin për Mbrojtjen e Bimëve
Prishtinë, 2 maj - Nën drejtimin e Kryeministrit Hashim Thaçi, Qeveria e Republikë së Kosovës, ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt, në të cilën ka miratuar dy projektligj edhe disa vendime të tjera nga fushëveprimtaria e saj.
Në mbledhjen e sotme Kabineti qeveritar ka aprovuar Projektligjit për Mbrojtjen e Bimëve (MBPZHR) dhe Projekt-kodin e Procedurës Penale (MD) që do të procedohen për miratim në Kuvend.
Në fjalën e hapjes kryeministri Hashim Thaçi ka përshëndetur vendimin e Gjykatës së Qarkut të Prishtinës për lirimin si të pafajshëm të komandantit të UÇK-së, deputetit të Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj dhe bashkëluftëtarëve të tij Naser Krasniqi, Nexhmi Krasniqi dhe Naser Shala.
Ne gjithmonë i kemi dhënë mbështetje të plotë drejtësisë, sepse edhe kemi besuar plotësisht dhe kemi qenë të bindur në pafajësinë e komandantëve dhe luftëtarëve të UÇK-së është shprehur kryeministri Thaçi.
Prandaj, sot Qeveria, institucionet dhe qytetarët e mirëpresim ngadhënjimin e drejtësisë mbi paragjykimet dhe pretendimet tjera të pajustifikueshme. Në anën tjetër, ju dëshiroj rikthim në angazhimet e tyre shtetërore dhe familjare, ka thënë kryeministri Thaçi, duke shtuar se ka besim të plotë në lirimin e shpejtë edhe të Ramush Haradinaj dhe bashkëluftëtarëve të tij.
Duke folur para kabinetit qeveritar Thaçi ka vlerësuar edhe zgjedhjet në Ferizaj. Kryeministri ka falënderuar gjithë qytetarët e Ferizajt për kulturën e tyre të lartë, që kanë treguar, pjesëmarrjen e tyre sado modeste, por emancipuese duke treguar vullnetin e tyre për qeverisjen e ardhshme të Ferizajt.
Thaçi ka pohuar se Qeveria ka mirëpret rolin lehtësues të OSBE-së për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale serbe, në përputhshmëri me standardet dhe modelet evropiane, dokumentin e Ahtisarit dhe Kushtetutën e Kosovës.
Ky është hapi i parë dhe veprimi i parë i Serbisë që pranon të mos organizojë zgjedhje në Kosovë. Prandaj, angazhimet tona do të jenë të koordinuara me shteteve të Quintit, pohoi kryeministri Thaçi.
Kryeministri Thaçi ka komentuar edhe opinionet e Freedom House për mediet e lira në botë. Është hap inkurajues për progresin që ka arritur Republika e Kosoves në fushën e lirisë së shprehjes ka thënë Thaçi.
Në vazhdim Qeveria ka dhënë opinionin lidhur me emërimin e anëtarëve të Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, në pajtim me nenin 14 të Ligjit nr. 03/L-084 për ndryshimin e rregullores së UNMIK-ut 2005/20 për ndryshimin e rregullores së UNMIK-ut 2001/35 për Fondin Pensional të Kosovës (ZKM).
Në bazë të nenit 14 të Ligjit nr. 03/L-084 për ndryshimin e rregullores së UNMIK-ut 2005/20 për ndryshimin e rregullores së UNMIK-ut 2001/35 për Fondin Pensional të Kosovës, Qeveria e Republikës së Kosovës jep Opinion me të cilin pajtohet me rekomandimin e Komisionit për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës.
Komisioni për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, në pajtim me Ligjin për Fondin Pensional të Kosovës, ka hapur procesin konkurrues për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit dhe propozon kandidatët për anëtarë të Bordit Drejtues të Fondit, si në vijim:
1. Ymer Havolli
2. Driton Qehaja
3. Van Driel Leendert Willem
4. Alan Pickering
5. Ruzhdi Morina
Qeveria ka miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ për vitin 2012 (ZKM). Zyra e Kryeministrit propozon që në Programin Legjislativ të vitit 2012, të Qeverisë së Republikës së Kosovës të përfshihen edhe këto Projektligje:
Projektligji për Agjencinë e Regjistrimit Civil (MPB);
Projektligji për Plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 03/L-075 për themelimin e zyrës së Auditorit të Përgjithshëm dhe Zyrës së Auditimit të Kosovës (MF).
Nga Programi Legjislativ i vitit 2012 të Qeverisë së Republikës së Kosovës të hiqet:
Projektligji për SOFA (MFSK)
Të ndryshohet afati kohor për dërgimin e Projektligjeve për miratim në Qeveri si në vijim:
Projektligji për Veprimtari Kërkimore Shkencore, Inovacion dhe Teknologji 31 Maj (MASHT);
Projektligji për Arsimin dhe Aftësimin Profesional 31 Maj (MASHT);
Projektligji për Arsimin dhe Aftësimin e të Rriturve 31 Maj (MASHT).
Projektligji për Agjencinë për menaxhimin e Komplekseve Memoriale dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Festat Shtetërore.
Qeveria ka miratuar Koncept Dokumentin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.03/L-056 për Ansamblin Kombëtar Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Shota dhe për Ansamblet e tjera (MKRS), Koncept Dokumentin për Projektligjin e Sponsorizimeve dhe Donacioneve në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).
Kryeministri Thaçi me këtë rast ka kërkuar një informatë të plotë nga ministrat Memli Krasniqi dhe ministri Bajam Rexhepi lidhur me incidentin e kamerave në ambientet e Ansamblit Kombëtar Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Shota.
Në pajtim me nenin 29 paragrafi 7 të Rregullores së punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka propozuar që të miratohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, koncept dokumenti për Projektligjin për Sponsorizime dhe Donacione në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Është miratuar Rregullores për Menaxhimin e Programit, Organet Kompetente, Procedurat dhe Kriteret e Përfitimit për Ri-integrimin e Personave të Riatdhesuar (MPB).
Qeveria ka marrë vendim për kompensimin shtesë për anëtarët dhe kryesuesin e Sekretariatit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për muajt prill dhe maj 2012 (ZKM).