Qëndrimet zyrtare të Egjiptit në përputhje me qëndrimet e popullit
Tryeza është organizuar me rastin e vizitës të delegacionit nga Egjipti me qëllim që të analizohet situata në të dy vendet dhe mundësitë për bashkëpunim në rrafshin shoqëror, medial e joqeveritar. Kjo ngjarje ka qenë vendtakim i më shumë se 25 përfaqësuesve të medieve dhe shoqërisë civile nga Kosova dhe Egjipti.
Petrit Selimi, Zëvendësministër i Punëve të Jashtme, theksoi se pas largimit të Hosni Mubarak nga pushteti dhe vizitës së delegacionit egjiptian në Kosovë u hap një derë e vogël por permanente ku shihet se mund të shkëmbejmë eksperienca.
Në këtë tryezë u theksua nevoja e shkëputjes së ndikimit të shtetit në mediat, pasi që e kaluara tregon se një praktikë e tillë nuk është në shërbim të qytetarëve. Për më tepër, të pranishmit vlerësuan lartë punën e medieve dhe shoqërisë civile në rolin e tyre për të krijuar balanc në mes të pushtetit dhe popullatës.
Sipas Ismail Elfakharany, kolumnist në gazetën Al Ahram, në një mënyrë apo tjetër qëndrimet e zyrtare të Egjiptit do të jenë në përputhje me qëndrimet e popullatës, e këtu përfshihet edhe pavarësia e Kosovës.
Ndërsa, Ylli Hoxha, Drejtor Ekzekutiv i Klubit për Politikë të Jashtme, u shpreh se njohja nga Egjipti do të thotë për Kosovën më shumë vende pune, më pak varfëri, dhe mundësi më të mira dhe të barabarta me vendet tjera.
Kjo tryezë u përmbyll me zotimin se bashkëpunimi do të thellohet pasi që tani mundësitë janë më të mëdha dhe shoqëritë e këtyre vendeve para se gjithash ndajnë brenga të njëjta siç janë liritë dhe të drejtat e qytetarëve.