Qemal Mehmeti zgjidhet kryetar i PD-së në Prizren
Prizren, 6 dhjetor - Partia e Drejtësisë, dega në Prizren ka mbajtur Kuvendin e jashtëzakonshëm Zgjedhor, me çrast kryetar i saj u zgjodh Qemal Mehmeti. Po ashtu në këtë Kuvend Zgjedhor, u zgjodh edhe kryesia e re e degës.
Kryetari i porsazgjedhur i degës së PD-së në Prizren, Qemal Mehmeti, u zotua se do të angazhohet se detyrat dhe përgjegjësitë që i takojnë do ti kryejë me përpikëri dhe besnikëri të plotë.
Ai tha se programi i PD-së është zgjidhje e pranueshme për çdo qytetarë të Komunës së Prizrenit, andaj shtoi se vlerat që i posedon ky subjekt politik janë vlera edhe të vet qytetarëve të këtij rajoni.
Ndërsa, kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani, duke përshëndetur këtë Kuvend Zgjedhor, potencoi se subjekti që ai drejton që nga fillimi i themelimit është angazhuar për një jetë të dinjitetshme të çdo qytetari të Republikës së Kosovës.
Andaj, sipas tij, ky rrugëtim do të vazhdojë fuqishëm edhe në të ardhmen.
Kuvendin Zgjedhor të PD-së në Prizren e përshëndeti edhe deputeti i PDK-së Nait Hasani, i cili tha se vlerat që i posedon ky subjekt politik kanë pasuruar jetën politike në Prizren.
Një fjalë rasti mbajti edhe deputetja e PD-së, Labinotë Demi-Murtezi, e cila ftoi qytetarët prizrenas të bashkohen rreth programit të PD-së.