Qasja në drejtësi është një ndër prioritetet
Prishtinë, 20 mars - Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti në takim drejtoreshën e UN Women për Evropën dhe Azinë, zonjën Ingibjorg Gisladottir dhe drejtoreshën ekzekutive të UN Women në Kosovë, zonjën Flora Macula, me të cilat bisedoi rreth drejtësisë tranzicionale dhe temave të ndërlidhura me barazinë gjinore në përgjithësi.
Presidentja Jahjaga falënderoi UN Women për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë procesit të drejtësisë tranzicionale në Kosovë si dhe punës së Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, duke theksuar se qasja në drejtësi është një ndër prioritetet kryesore të këtij mekanizmi koordinues ndërinstitucional dhe shoqëror.
Ajo theksoi se njohja ndërkombëtare e kësaj pasoje të luftës është e nevojshme për arritjen e drejtësisë, të njohjes së krimit të ushtruar mbi viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës si dhe për procesin e rehabilitimin të tyre.
Presidentja Jahjaga dhe përfaqësueset e UN Women diskutuan edhe rreth iniciativave të tjera që kanë për synim arritjen e barazisë gjinore në shoqëri, duke theksuar se integrimi i grave në çdo fushë të jetës është kyç për avancimin e gjithmbarshëm të saj.
Drejtoresha e UN Women për Evropën dhe Azinë znj. Ingibjorg Gisladottir përgëzoi Presidenten Jahjaga për formimin e Këshillit për të adresuar çështjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës nga niveli më i lartë institucional, si në asnjë shoqëri tjetër, duke dëshmuar përkushtimin e lidershipit të Kosovës për trajtimin e kësaj kategorie të viktimave civile të luftës.
Ajo shprehu përkushtimin e UN Women për të vazhduar mbështetjen e nismave që do të ndërmerren nga ky Këshill dhe tha se do të angazhohet për njohjen ndërkombëtare të këtij krimi lufte të kryer në Kosovë.