Pushteti zhvatës lë në geto kosovarët
Prishtinë, 21 shtator - Krimi dhe korrupsioni i pandëshkuar në nivelin e lartë kanë qenë dhe po vazhdojnë të mbesin barrikada kryesore e pakalueshme për të fituar edhe qytetarët e Kosovës liberalizimin e vizave.
Niveli i lartë i korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë dhe dështimi i institucioneve të sundimit të ligjit për ta luftuar atë me efikasitet, po bëhen pengesa kryesore, një lloj muri i pakalueshëm edhe për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Këtë fakt nuk e thonë vetëm njohës të fushës së sundimit të ligjit në vend, por e konstatojnë edhe organizma kredibilë ndërkombëtarë që hartojnë raporte periodike të kësaj fushe, derisa e vendosin si kusht themelor edhe zyrtarët e Bashkimit Evropian, të cilët vazhdojnë të thonë se pa u luftuar korrupsioni e krimi i organizuar nuk ka lëvizje të lirë për qytetarët e Kosovës.
E për ta mbuluar këtë dështim të institucioneve të shtetit të Kosovës janë shpikur deklarimet mashtruese të qeveritarëve që e lidhin procesin e vizave tepër ngushtë me temën e demarkacionit, pavarësisht që edhe BEja vazhdimisht kërkon luftë të ashpër kundër korrupsioni si treguesin kryesor të funksionimit të shtetit ligjor. Opozita dhe analistët akuzojnë pushtetin se ka dështuar në adresimin e këtyre sfidave.
Keqqeverisje pas keqqeverisjes Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, theksoi se qeverisja e keqe për disa vite më parë në dy mandatet e PDK-së nuk ka qenë në funksion të luftimit të krimit dhe korrupsionit, por vetëm në funksion të forcimit të kësaj dukurie, e cila është raportuar si tepër e dëmshme dhe shqetësuese edhe në raportet e organizatave ndërkombëtare.
\"I njëjti avaz po vazhdon edhe tani nga bashkëqeverisja e PDK-së me LDK-në dhe nuk ka gjasa të ketë liberalizim vizash për qytetarët e Kosovës derisa këto struktura të korruptuara të jenë në pushtet. Demarkacioni është një kusht i shpikur nga vetë qeveritarët e korruptuar, me qëllim që ta kontrabandojnë këtë marrëveshje të dëmshme si mbulesë për dështimet e tyre në fushën e sundimit të ligjit, luftimit të krimit dhe korrupsionit\", ka pohuar nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi.
Edhe Ismail Kurteshi nga Lëvizja \'Vetëvendosje\' konsideron se shtylla kryesore që po bëhet pengesë për qytetarët e Kosovës, për të fituar të drejtën e lëvizjes së lirë, është niveli i lartë i krimit dhe korrupsionit, një betejë e humbur, mbase jo rastësisht, nga pushteti aktual që nuk ka vullnet t\'i kundërvihet si duhet.
\"E kam thënë dhe vazhdoj ta përsëris qëndrimin dhe vlerësimin tim se qytetarët e Kosovës janë të vetmit në Evropë që nuk mund të udhëtojnë pa viza, e kjo ka ndodhur sepse qeveritarët nuk e kanë luftuar korrupsionin për arsye që të gjithë e dimë, sepse ata janë vetë korrupsioni. Edhe bartësit e krimit ekonomik janë ngushtë të lidhur me qeveritarët, prandaj as ndaj atyre nuk ndërmerren masa. Funksionimi i shtetit ligjor në këtë fazë është pothuajse i pamundur. Këtë konstatim tani vetëm sa po e përforcojnë edhe raportet e organizatave ndërkombëtare, por edhe disa nga ato vendore\", theksoi ai.
Kosova, në listën e zezë Në një raport të publikuar para dy javësh edhe Organizata ndërkombëtare \'Transparency International\' e ka radhitur Kosovën në mesin e vendeve më të korruptuara në botë, me një kulturë të pa ndëshkueshmërisë ndaj zyrtarëve të përfshirë në aferat korruptive dhe me institucione jo shumë të qëndrueshme për luftimin e kësaj dukurie.
Ky dhe raportet e tjera ndërkombëtare po e radhisin Kosovën në vendin e 103-të në shkallë botërore për nivelin e korrupsionit, duke e vendosur atë në një vijë me vendet më të korruptuara në botë.
Analistja e fushës së sundimit të ligjit nga Grupi për studime juridike dhe politike, Albana Merja, konstaton se që nga viti 2012 e këndej të gjitha raportet ndërkombëtare flasin për vendnumërim të skajshëm të institucioneve të shtetit në luftimin e krimit dhe korrupsionit në vend, andaj edhe perspektiva për qytetarët nuk është optimiste.
\"Evidenca në luftimin e krimit të organizuar dhe mbi të gjitha korrupsionit në nivele të larta shtetërore vazhdon të mbetet një sfidë për institucionet e Kosovës. Kjo ka qenë një ndër kërkesat kryesore që në fillim të këtij procesi (qershor 2012) dhe është theksuar në çdo raport vlerësues nga ana e Komisionit, duke ia bërë në këtë mënyrë të qartë Qeverisë së Kosovës që pa e rritur efikasitetin në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar do të jetë e vështirë që të arrihet liberalizimi i vizave\", potencoi ajo.
\"Përveç luftimit të këtyre dukurive, është e nevojshme që Qeveria e Kosovës, Parlamenti dhe institucione të tjera relevante, të fillojnë një proces të lobimit intensiv dhe të koordinuar me institucionet e BE-së në mënyrë që të arrihen rezultate konkrete\", tha Merja.
/Kosova Sot/