Punëtorët e RTK-së kanë krijuar një sindikatë të re
Dje kemi parë një reagim të sindikatës së punëtorëve të RTK-së ku ata mundohen të hedhin hi syve para opinionit të gjërë, kinse po akuzojnë menaxhmentin e RTK-së për keqmenaxhim dhe kapen për disa projekte që tashme janë ndërprerë tha Naser Thaçi, njëri ndër iniciuesit e kësaj sindikate.
Sipas tij sindikata e deritashme e RTK-së nuk merret me kontratat që ende po vazhdojnë në RTK, e që janë të dëmshme.
Ne i kemi të gjitha kontratat dhe e dijmë saktë se cilat janë marrë në mënyrë të ligjshme dhe cilat në mënyrë të paligjshme, i kemi edhe nënshkrimet e anëtarëve të menaxhmentit, të cilat do ti publikojmë në momentin e duhur. Kemi informacione të sakta se përfaqësuesit e lartë të sindikatës janë avancuar nga menaxhmenti në pozita të larta duke marrë paga të majme ndërsa kemi shumë punëtorë që me muaj të tërë punojnë pa kontrata për pozitat e tyre në të cilat gjenden, duke u dëmtuar kështu në paga ka deklaruar Thaçi.
Sipas kësaj sindikate të RTK-ës sindikata e deritashme ka dalë publikisht kundër lirisë së shprehjes dhe fjalës së lirë duke kërkuar ndalimin e personave të caktuar të paraqiten në mediumin tonë, duke shkelur kështu mbi të gjitha parimet demokratike dhe duke dalë komplet jashtë misionit të saj kanë deklaruar sindikalistët.
Këto janë vetëm disa nga arsyet që na kanë shtyrë ne, punëtorët e RTK-së që të marrim këtë hap që të formojmë Sindikatën e Punëtorëve të RTK-ës me të cilën do të mundohemi që të drejtat e punëtorëve të respektohen 100%. Që nesër do të kërkojmë një takim me anëtarët e Komisionit Parlamentar për Media dhe të shohim se ku jemi me ligjin, kur do të miratohet dhe do të insistojmë që buxheti të jetë 0.9% dhe jo 0.7% sa është paraparë. Gjithashtu do të insistojmë që prona e RTK- së të zgjidhet me këtë lig ka deklaruar Thaçi.
Ata i bënë thirrje të gjithë punëtorëve të RTK-së që të mos paguajnë për sindikatën e deritashme pasi që paratë e tyre po keqpërdoren.
Kurse kryetari i Bashkimit të Pavarura të Sindikatave të Kosovës (BSPK), Haxhi Arifi ka deklaruar se BSPK-ja është e hapur për të gjithë dhe e mirëpret këtë sindikatë që të jetë pjesë e BSPK-së.