Pula: Do të ndëshkohen keqpërdoruesit e votave
Prishtinë, 26 maj - Koordinatorja nacionale për zgjedhje nga Prokuroria e Shtetit, Laura Pula, ka thënë se i kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që më 8 qershor, kur do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të mbrohet vota e qytetarëve.
Në këtë intervistë për Epokën e re, Pula ka bërë me dije se në ditën e zgjedhjeve do të angazhohen mbi 100 prokurorë, të cilët do ta monitorojnë procesin zgjedhor në tërë territorin e Kosovës, përfshirë edhe veriun.
Mbi 100 prokurorë dhe 300 zyrtarë të tjerë do të jenë si staf mbështetës në ditën e zgjedhjeve. Nuk do të punojmë vetëm në ditën e zgjedhjeve, më 8 qershor, por edhe më 9 qershor. Pra, do të punojmë deri kur të numërohet vota e fundit, ka thënë Pula, duke shtuar se do të jenë të pakompromis ndaj çdo keqpërdoruesi të votave.
Prokuroja Pula u ka dërguar selam të gjithë atyre që do të tentojnë ta manipulojnë vullnetin e qytetarëve. Ajo ka thënë se do të arrestohen të gjitha ata persona të cilët tentojnë manipulimin e votës qytetare.
Ndaj atyre që do të tentojnë të manipulojnë votën e qytetarëve e kemi vetëm një parim, pra arrestimin e menjëhershëm të gjithë atyre që tentojnë ta cenojnë procesin zgjedhor, ngase është në pyetje imazhi i shtetit tonë Republikës së Kosovës, ka thënë Pula. Ajo ka treguar se në kuadër të planit operacional të Prokurorisë së Shtetit gjatë ditës së votimit do të përcillen të gjitha shkrimet në medie, ato në portale, rrjete sociale, përfshirë edhe Facebook-un, për të marrë informacione lidhur me ndonjë keqpërdorim të mundshëm të drejtës së votimit.
Pula ka kërkuar nga qytetarët që në ditën e zgjedhjeve të bashkëpunojnë me prokurorin e shtetit dhe Policinë e Kosovës.
Adresa të vetme për të paraqitur çdo parregullsi në ditën e zgjedhjeve janë prokurori i shtetit dhe Policia e Kosovës. Në momentin që do të pranojmë informata të tilla do të reagojmë në mënyrë që të parandalojmë çfarëdo veprimi inkriminues, është shprehur Pula.