Pula: Do të arrestohen personat që veprojnë kundër të drejtave të votimit
Mitrovicë, 4 qershor Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit dhe OJQ Mundësia, kanë organizuar të mërkurën në Mitrovicë tryezën e gjashtë me radhë Drejtësia në zgjedhjet parlamentare 2014, me pjesëmarrjen e të gjithë akterëve të institucioneve të drejtësisë të nivelit qendror dhe lokal, me kandidatët e partive politike, shoqërinë civile dhe mediat.
Me iniciativë të Kryeprokurorit të Shtetit, z. Ismet Kabashi me 15 maj 2014 është nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi Lidhur me zgjedhjet parlamentare 2014 në mes Këshillit Prokurorial të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Policisë së Kosovës, Komisionit Qendror Zgjedhor dhe Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa me qëllim të ngritjes së bashkëpunimit dhe koordinimit në mes të këtyre institucioneve në ndërmarrjen e aktiviteteve për luftim të suksesshëm të veprave penale kundër të drejtave të votimit duke përfshirë këtu, edhe parandalimin e këtyre veprave penale që bien ndesh me legjislacionin në fuqi.
Si rezultat i këtij memorandumi Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit kanë përpiluar Procedurat Standarde të Veprimit (PSV) për të shtuar efikasitetin e veprimeve për veprat penale kundër të drejtave të votimit.
Betim Musliu moderator i tryezës, tha se roli i institucioneve të drejtësisë krahasuar me vitin 2010 ka qenë në tërësi i ndryshëm pasi institucionet në ato zgjedhje kanë pasur rol pasiv, kurse në vitin 2013 roli i tyre ka qenë proaktiv, përmes ndërtimit të një bashkëpunimi ndërinstitucional dhe krijimit të Procedurave Standarde të Veprimit (PSV) ndërmjet Prokurorit të Shtetit dhe Policisë së Kosovës.
Koordinatorja Nacionale për zgjedhje nga Prokurori i Shtetit, znj. Laura Pula, tha se këtë herë roli i Prokurorit të Shtetit është shumë proaktiv për këto zgjedhje sepse tashmë është krijuar një praktikë e mirë prej zgjedhjeve të kaluara lokale 2013.
Prokurori i Shtetit ka caktuar mbi 100 prokurorë në të gjithë territorin e Kosovës dhe mbi 300 stafë mbështetës që së bashku me Hetues nga Policia e Kosovës do të kooperojnë për të luftuar çdo lloj veprimtarie që biesh ndesh me veprat penale kundër të drejtave të votimit.
Pula theksoi se parimi kryesor që del nga PSV-të është arrestimi dhe ndalimi i të gjithë personave të cilët në një apo mënyrë tjetër do të veprojnë kundër të drejtave të votimit.
Ajo ka inkurajuar si Koordinatore Nacionale të gjithë qytetarët, partitë politike dhe shoqërinë civile që të raportojnë rastet e keqpërdorimeve vetëm në polici dhe prokurori, sepse siç tha ajo, institucionet e drejtësisë do të jenë kujdestar gjatë gjithë procesit zgjedhor për të garantuar se do të ndiqen penalisht të gjithë ata që tentojnë të manipulojnë me votën e qytetarëve.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, z.Shyqri Syla, tha se tashmë janë caktuar prokurorët kujdestar që do të bashkëpunojnë me hetuesinë dhe policinë për Rajonin e Mitrovicës.
Dua të jem i shkurtë. Do jemi kudo për tiu përgjigjur të gjitha rasteve që mund të paraqiten. Prokurorët do të punojnë ngushtë me policinë për të vepruar me urgjencë ndaj të gjithë keqpërdoruesve, në përputhje me dispozitat ligjore dhe PSV-të, të cilat sigurojnë një efikasitet të shtuar të policisë dhe prokurorëve. Prandaj, inkurajoj të gjithë që të sfidojnë organet e drejtësisë që të parandalojnë dhe luftojnë çfarë vepre penale.
Zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Naim Rexha, tha se Policia e Kosovës ka analizuar përvojat e zgjedhjeve të kaluara dhe ka përgatitur planet e veprimit, të cilat do të mundësojnë një bashkëpunim të ngushtë me prokurorët, me të cilët si asnjëherë më parë do të sigurohet një zbatim efikas i PSV-ve.
Tashmë duhet ta dinë të gjithë që policia në bashkëpunim me prokurorët do të veprojnë me urgjencë për tiu përgjigjur në mënyrë adekuate secilit keqpërdorim të zgjedhjeve. Nuk ka pardon për askend, këtë duhet ta kuptojnë të gjithë qytetarët, partitë politike, komisionerët e tyre, zyrtarët apo kushdo tjetër që tenton të përfshihet në keqpërdorime.
Kryetarja e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, znj. Kada Bonjaku - Përquku tha se gjykata gjithmonë është e përgatitur që puna të kryhet me kohë dhe në mënyre efektive. Ne jemi të përgatitur që tiu përgjigjemi të gjitha rasteve që mund të vijnë për caktimin e masave ndaj personave që dyshohet se janë kryer të ndonjë vepre penale kundër të drejtave të votimit.
Kryetarja shtoi se sa i përket rasteve qe janë paraqitur ne 2013, kanë 6 raste në procedurë penale të cilat janë në zhvillim e sipër, ndërsa 3 raste ne fazën e procedurës parapake. Ajo tha se dënimet për veprat penale kundër të drejtave të votimit janë shumë të ashpra dhe se këtë duhet ta kenë parasysh kryesit sepse nëse kryejnë ndonjë prej këtyre veprave do të marrin dënime të rrepta. Ju njoftoj se një rast nga 2013 është shpallur fajtor për pengim dh kanosje dhe është dënuar me 1 vjet e 6 muaj ne burg si dhe me gjobe
z. Xhemail Peçani nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, tha se KQZ do të ketë dhomën operative e cila do te përcjellë materialin sensitiv. Sipas tij këtu do të jenë përfaqësues nga Prokuroria, Policia, nga KFOR dhe EULEX, do të ketë 2,9000 vëzhgues dhe se në këtë fazë ka filluar trajnimi i stafit. Nga prokuroria dhe KGjK kemi marrë listën e gjithë personave nën hetime dhe të dënuar, të cilët nuk janë përfshirë më në proces të punës. KQZ ka hartuar një plan operativ i cili adreson përgjegjësitë e të gjithë zyrtarëve në ditën e zgjedhjeve, sekretariati, komisionet komunale, etj.. .
Z. Shukri Sylejmani, kryetar i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, tha se ky institucion është shumë i rëndësishëm i cili në kuadër te mandatit dhe kompetencave kujdeset që procesi zgjedhor të korrektohet në mënyre që të mos zbehet imazhi i zgjedhjeve por të del një konstatim që në Kosovë ka pasur zgjedhje demokratike. PZAP ka hartuar planin e veprimit të brendshëm në kuadër të memorandumit të cilin do ta zbatojmë me përpikmëri dhe i cili do të menaxhojë dhe do të marr vendime për të gjitha ankesat brenda aftit ligjor prej 72 orësh. Prandaj, apeloj që të mos hezitoni të paraqitni ankesa.
Genc Nimoni nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha se ky institut do të ketë 40 monitorues, të cilët do të monitorojnë aktivitetet e institucioneve të drejtësisë, përkatësisht Policisë dhe Prokurorisë për të parë reagimet e tyre në secilin rast ku ka informacione se po kryhet ndonjëra prej veprave penale kundër të drejtave të votimit.
Pjesa e diskutimeve me të gjithë pjesëmarrësit nga partitë politike, pjesa dërrmuese kandidatë për kryetarë, shoqëria civile dhe mediat ishte shumë aktive për tu informuar me rolin e institucioneve të drejtësisë. Pjesëmarrësit në diskutime kanë përgëzuar iniciativën dhe kanë shprehur shqetësimet e tyre rreth numrit të vogël, sipas tyre, të personave të akuzuar dhe dënuar për rajonin e Mitrovicës, rreth pastrimit të listës së votuesve nga personat e vdekur, rreth sigurisë për të votuar në pjesën e veriut, rreth menaxherëve të qendrave të votimit, etj.
Ky aktivitet është pjesë e serisë së tryezave të diskutimit në qendrat kryesore të Kosovës, që zhvillohen në kuadër të projektit Iniciativa për ngritje të efikasitetit të institucioneve të drejtësisë për zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike në Kosovë që përkrahet nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë. Tryezat e radhës do të mbahen: të enjten në Graçanicë dhe të premtën në Prishtinë.