Publikohet indeksi vjetor i transparencës në qeverisjen komunale për vitin 2021
Prishtinë, 31 maj - Sot, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) me mbështetjen financiare të SlovakAid – Asistenca Zyrtare për Zhvillimin e Republikës Sllovake dhe në bashkëpunim me Transparency International Slovakia, lansoi Indeksin e Transparencës për Qeverisjen Komunale për vitin 2021. Indeksi historik në këto matje ishte pasuruar me 46 indikatorë të rinj dhe dy politika publike, duke rritur kështu numrin e treguesve nga 41 në 87 sosh, të ndarë në tetë shtylla të qeverisjes si 1) transparenca e komunave në shpenzimet publike përmes prokurimit publik, 2) transparenca buxhetore, 3) transparenca në grantet dhe subvencionet komunale, 4) përfshirja e qytetarëve në vendimmarrjen komunale, 5) qasja në dokumente publike, 6) përgjegjshmëria e komunave për të adresuar risqet e korrupsionit dhe konfliktin e interesit, 7) menaxhimi i pronës komunale, si dhe 8) ndërmarrjet dhe organizatat publike në pronësi të komunave.
Diana Metushi-Krasniqi, menaxhere e projektit në KDI, gjatë prezantimit të gjetjeve kryesore të raportit tha se “përkundër rritjes prej 112% të indikatorëve matës, komunat e Kosovës kanë arritur një transparencë të përgjithshme prej 56% në politikat e përzgjedhura”. Për më shumë, edhe pse viti 2021 ishte një vit i zgjedhjeve lokale, për dallim nga viti 2017 kur për shkak të zgjedhjeve ishte neglizhuar transparenca komunale, Indeksi tregon se në vitin 2021 kishte një rritje të transparencës duke krahasuar indikatorët e njëjtë me ata të vitit paraprak. Viti 2021 ka shfaqur një trend pozitiv të transparencës në prokurimin publik në nivel komunal. Kjo paraqet një rritje prej rreth 13% krahasuar me shtatë indikatorët e njëjtë të shtyllës – nga një mesatare prej 57% në 2020, në 70% në 2021. Një rritje prej 9% është shënuar edhe në transparencën buxhetore në të shtatë indikatorët e njëjtë nga 64% në 2020 në 73% në 2021.
Metushi-Krasniqi shtoi se indeksi thekson nevojën e angazhimit të pushtetit lokal në rritjen e transparencës në lidhje me ndërmarrjet dhe organizatat publike, krijimin e instrumenteve për mbrojtjen e integritetit dhe raportimin e sjelljeve joetike. Po ashtu, ajo potencoi nevojën për përditësimin e planeve të integritetit në komunat e Kosovës, si dhe një përkushtim më të madh për pjesëmarrjen e publikut në proceset e planifikimit dhe vendimmarrjes së nivelit lokal. Për më tepër, shqetësues mbetet fakti që kemi katër komuna me rezultat minimal nën 10 pikë, të cilat, rrjedhimisht nuk japin llogari ndaj qytetarëve, si dhe ndikojnë negativisht edhe në rezultatet përmbledhëse të politikave dhe në rezultatin e përgjithshëm të Indeksit. Ndërsa, në mungesë të bordit të OSHP-së, nuk ka qenë e mundur analizimi dhe matja e katër indikatorëve që ndërlidhen me vendimet e këtij institucioni.
Indeksi i transparencës në qeverisjen lokale për vitin 2021 e rendit komunën e Prishtinës si qytetin më transparent me 82.02 pikë nga 100, në 87 treguesit e matur, pasuar nga komunat e Rahovecit (80.97 pikë), Gjakovës (80.27 pikë), Mitrovica e Jugut (79.52 pikë), Lipjan (78.72 pikë), Ferizaj (78.08 pikë), Kaçanik (76.22 pikë), Pejë (75.87 pikë), Drenas (72.10 pikë) dhe Podujeva (72.04 pikë).
Gjithashtu, me këtë rast, KDI lansoi edhe platformën digjitale www.transparenca-komunale.org ku publiku dhe institucionet mund të shohin në detaje performancën komunale për secilin indikator.
Në vazhim, Michal Pisko nga Transparency International – Slovakia theksoi që “TI – Sllovakia ka qenë aktive në nivel komunal për më shumë se 20 vjet, duke përfshirë renditjen e transparencës të 100 qyteteve më të mëdha dhe tetë rajoneve sllovake që nga viti 2010. Këto vlerësime janë veçanërisht efektive në ofrimin e komenteve për përfaqësuesit komunal, si dhe rritjen e angazhimit publik. Kjo natyrë konkurruese gjithashtu i motivon komunat të rrisin transparencën dhe të frymëzohen nga praktikat më të mira të përdorura nga fqinjtë e tyre”.
Niveli i qasjes në informacion është thelbësor për ekspozimin e praktikave të paqarta dhe për t'i mbajtur përfaqësuesit komunalë llogaridhës. Por, ndonëse këto matje janë shumë efektive në përmirësimin e transparencës dhe pjesëmarrjes së publikut, ato nuk mund të masin vet korrupsionin dhe klientelizmin.
Në Sllovaki, matja e transparencës në nivel lokal ka rezultuar një përmirësim të ndjeshëm në mbikëqyrjen publike. Ky ndikim pozitiv çoi në prezantimin e projektit në vende të tjera, si Ukraina dhe Moldavia, ku gjithashtu projekti u tregua efektiv. “Sigurisht, metodologjia e përbashkët do të kontribuojë në hapjen dhe angazhimin publik edhe në komunat e Kosovës,” tha në fund Michal Pisko, drejtor i TI – Slovakia.
KDI inkurajon të gjitha komunat të rishikojnë mangësitë e tyre në këtë indeks për vitin 2021 dhe të përqendrohen në rritjen e transparencës në të gjitha shtyllat në vitin 2022.