PSHDK: Rruga e vetme për të ardhmen e Kosovës është BE-ja
Prishtinë, 26 shtator - Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës (PSHDK) ka deklaraur se qysh herët ka shprehur shqetësimet e saja për degradimet e demokracisë në Republikën e Kosovës, ku e kanë gjenezën edhe të këqijat tjera, siç janë korrupsioni, institucionet jostabille, mediat e kontrolluara dhe institucionet e pavarura që janë nën tytën e politikës, siç është Universiteti, etj.
Ky degradim, që ka marrë udhë me zgjedhjet e fundit jodemokratike sipas PSHDK-së ka prodhuar institucione jostabile dhe jo përfaqësuese, prandaj edhe rruga jonë drejt BE-së është zgjatur.
PSHDK vlerëson se si rezultat, imazhi i Kosovës është rënduar shumë. Sot kemi krizë të thellë qeveritare në vend, sepse vendi nuk ka më një mazhorancë që garanton institucione të qëndrueshme.
Si rezultati gjithë kësaj, Kosova këto vite të fundit, ka shënuar regres dhe për këtë, përgjegjësia direkte bie mbi institucionet e vendit, të cilat janë treguar të paafta dhe neglizhente për të zhvilluar demokracinë dhe të ardhmen europiane.
\"Tashmë jemi para një sfide dhe një detyre shumë serioze, që të mbajmë zgjedhje demokratike dhe ti japim demokracisë frymëmarrje të re. Ky është hapi i parë, për të nxitur reformat e domosdoshme në institucionet tona dhe për të qartësuar rrugën e përbashkët europiane. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se në BE, nuk shkohet me demokraci jostabile, e më pak me institucione të brishta dhe me korrupsion të shpërndarë në të gjitha poret e shoqërisë\", thekson PSHDK.
PSHDKE konsideron se çelësi i të ardhmes sonë europiane, nuk është në Bruksel, por në zyret e partive politike dhe institucioneve tona që janë përgjegjëse për integrimet e vendit. Pikërisht për këtë, ato nuk duhet më të abuzojnë me këtë, sepse kanë përgjegjësi jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen e vendit.
\"Këto ditë, na është përsëritur nga një diplomat në Kosovë, se nuk ka BE pa zgjedhje demokratike. Ky është një sinjal i fuqishëm, që duhet të na vetëdijësojë. Këto apele të bashkësisë ndërkombëtare, në adresë të partive politike në vend dhe sidomos ndaj institucioneve që janë përgjegjëse për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, duhet marrë seriozisht, që të mos e lëndojmë të ardhmen europiane të Kosovës.\"
\"E kaluara e jonë e dekadave të fundit, sidomos lufta për liri dhe pavarësi, është e ndërlidhur kryekëput dhe natyrshëm me kërkesën tonë legjitime për integrime në BE dhe NATO, si garanci për të ardhmen e sigurt të Kosovës\" pohon PSHDK.
PSHDK-ja vlerëson se këto aspirata të qytetarëve të Republikës së Kosovës, janë të ndërlidhura, sepse liria dhe pavarësia e vendit tonë, plotësohet vetëm kur të jemi pjesë e familjes së madhe europiane. Asnjë ide dhe rrugë tjetër për ne sështë e pranueshme.
PSHDK-ja bën apel, që institucionet e Kosovës, ëndrrën për Kosovën europiane, ta kalojnë nga retorika në praktikë të përditshme dhe të demonstrojnë me punë korrekte angazhimin për integrime në BE. E një kusht i domosdoshëm për këtë, është forcimi i demokracisë në vend, zhvillimi i institucioneve të pavarura dhe përafrimi i vazhdueshëm me perëndimin, sidomos në planin e legjislaturës dhe kulturës politike.
Për PSHDK-në, nuk ka alternativë tjetër për Kosovën, përveçse forcimi i institucioneve tona dhe ecja e sigurt dhe pa dyshime drejt BE-së. Në këtë betejë, duhet të jemi të unifikuar dhe të kalojmë nga retorika në praktikë.