PSHDK: Pa demokratizim të Kosovës nuk ka progres
Prishtinë, 23 nëntor - Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës(PSHDK) ka vlërsuar se Kosova është një demokraci e brishtë, e këtë më së miri e dëshmon edhe procesi i fundit zgjedhor, i cili, përkundër faktit se u tha që ishte një test i suksesshëm, le shumë për të dëshiruar.
Stërzgjatja e publikimit të rezultateve përfundimtare, përfoljet e shumta se ka pasur abuzime dhe vjedhje votash sipas PSHDK-së janë vetëm dëshmi të vogla që tregojnë se Kosova ende nuk ka arritur të zhvillojë zgjedhje të mirëfillta demokratike.
E për këtë arsye sipas kësaj partie proceset demokratike në Kosovë kanë stagnuar. Si rezultat i këtij stagnimi, sot kemi institucione të degraduara. Kjo ka bërë po ashtu që besueshmëria tek institucionet tona të jetë tepër e vogël.
Këto ditë, për të argumentuar mungesën e demokratizimit, është dëshmi edhe vizita e Zv. ndihmëssekretarit të shtetit amerikan, Hoyt B. Yee, i cili ishte këto ditë në Kosovë.
Në kohën kur ethet zgjedhore ende skanë përfunduar, nga komunikata e Presidencës së Kosovës, thuhet se ai tha se Kosova duhet të vazhdojë të punojë në demokratizimin e vendit dhe të thellojë reformat e saj të brendshme.
Për PSHDK-në, kjo është dëshmi e bollshme që të kuptojmë se procesi i reformave të brendshme të ne, as që mund të bëhet, sepse kemi ende probleme fundamentale me demokraci.
PSHDK-ja është e bindur se pa një demokratizim të plotë të vendit dhe pa një depolitizim të institucioneve kryesore që duhet të jenë të pavarura dhe të pa ndikuara nga politika në vend, nuk do të mund të presim progres të përgjithshëm dhe as që mund të bëhet fjalë për reforma të brendshme, për të cilat kemi shumë nevojë.
Neglizhenca e partive kryesore që kanë marrë përsipër përmbushjen e reformës zgjedhore, po ashtu është një dëshmi tjetër se disa partive në vend ju konvenon kjo gjendje jodemokratike.
\"Ne kërkojmë nga faktori vendor dhe ndërkombëtar, që të bëhet maksimumi në përmbushjen e referomës demokratike dhe të krijohen parakushte të favorshme që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të mbahen në frymë të plotë demokratike dhe kështu Kosova të hyjë në një fazë të re të zhvillimeve pozitive\", thekson në fund PSHDK.