17 Janar 2025

PSHDK kërkon trajtim më serioz për diasporën

Prishtinë, 6 gusht - Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës (PSHDK) vlerëson se me formimin e Ministrisë së Diasporës, është menduar se qeveria e Kosovës dhe institucionet tjera, do të marrin në konsideratë më shumë mërgatën tonë.

Po ashtu sipas PSHDK-së është menduar që kjo ministri dhe institucionet tjera përgjegjëse në vend, do të trajtojnë më mirë mërgatën tonë, që është e shpërndarë kudo nëpër botë, sidomos në kohën kur ata kthehen në mënyrë masovike në vendlindjen e tyre.

\"Këto ditë, kur mërgimtarët tanë vijnë në Kosovë, ne shohim sesi janë shpeshtuar aksidentet fatale në komunikacion.\"

Qeveria e Kosovës dhe instancat e tjera përgjegjëse sipas PSHDK-së është dashur që të ndërmarrin masa parandaluese për pengimin e aksidenteve të shumta që po marrin jetën e qytetarëve tanë. Institucionet përgjegjëse, janë në dijeni se kjo është sezona, kur në vendin tonë vijnë qytetarë të shumtë, prandaj mos reagimi i tyre, është papërgjegjësi serioze.

Po ashtu, PSHDK-ja e sheh me shumë shqetësim trajtimin që ju bëhet diasporës, kur kanë nevojë për dokumentacione të shtetit tonë. Institucionet e vendit, në këtë kohë pushimesh, do të duhej të shtonin vëmendjen ndaj diasporës, e cila gjatë pushimeve, kalon një pjesë të mirë të kohës nëpër sportele të ndryshme, duke pritur dokumente.

Që nga themelimi i Ministrisë së Diasporës, në realitet ende nuk ka ndodhë asgjë konkrete në mbështetjen ndaj diasporës. Ne konsiderojmë se me parulla dhe fjalime retorike, me konferenca dhe debate të ndryshme, nuk mbështet diaspora.

Kjo ministri, organizon disa aktivitete të dobëta dhe asgjë konkrete s’ka bërë në krijimin e një klimë më të mirë për diasporën tonë.

Republika e Kosovës, i ka borgj të madh kësaj diaspore, për gjithë kontributin e madh që ka dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por edhe për ndërtimin e saj, prandaj PSHDK-ja kërkon që ata në zgjedhjet e ardhshme të përfaqësohen në institucionet tona dhe zëri i tyre të jetë më prezent në jetën e përditshme. Kosova, duhet ta shfrytëzojë këtë potencial të madh që kemi, nëpërmjet krijimit të kushteve dhe lehtësirave, që ata të vijnë dhe të ndihmojnë ndërtimin e vendit dhe të investojnë pa probleme në vendin e tyre.

\"Mërgata jonë, është një potencial i madh që duhet stimuluar me të gjitha format. Për këtë, nuk mjaftojnë assesi vetëm të organizohen konferenca, takime formale dhe parulla, por duhet një angazhim shumë serioz, që atyre t’ju krijohen lehtësira për të ardhur në Kosovë, për të investuar dhe punuar në vendin e tyre\", thekson PSHDK përmes një njoftimi për media.

Republika e Kosovës, duhet patjetër që në procesin zgjedhor në Kosovë, ta inkuadrojë edhe diasporën, që çdo qytetar i regjistruar në vendin tonë, të ketë mundësi të votojë dhe të zgjidhet.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)