PSHDK-ja mirëpret marrëveshjen
PSHDK vlerëson se kjo marrëveshje, në një aspekt është konfirmim i fuqishëm i faktit se Kosova tashmë gjithnjë e më shumë po e sforcon pavarësinë dhe kjo pavarësi, gjithnjë e më shumë po fiton reputacion ndërkombëtar.
Kjo marrëveshje sipas PSHDK-së e bën shtetin e Kosovës më funksional dhe hapë shtigje të reja për vendin, që Kosova të sforcojë sovranitetin dhe në një të ardhme të afërt të bëhet pjesë e organizatave të rëndësishme ndërkombëtare.
\"Në planin historik, kjo marrëveshje, ka një rëndësi të madhe, sepse mund të përmbyllë kapitullin e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë dhe të hapë një kapitull të domosdoshëm të paqes në rajon. Ne mendojmë se në këtë etapë, qeveria e vendit, duhet të intensifikojë politikat e saja, që ta implementojë këtë marrëveshje sa më mirë, në mënyrë që marrëveshja me formatin e saj, të kalojë në fazën e implementimit dhe kështu Kosova të bëhet shtet në kuptimin e plotë funksional brenda kufijve ekzistues\", thekson PSHDK.
Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, Kosova dhe rajoni e shkurtojnë rrugën e tyre drejt integrimit në strukturat euro-atlantike, gjë që është synimi ynë madhor politik, ekonomik dhe kulturor, por edhe i gjithë kësaj pjese të Ballkanit.
Ne inkurajojmë institucionet e vendit, që të intensifikojnë dialogun, si një vlerë të patjetërsueshme evropiane dhe në partneritet të plotë me bashkësinë ndërkombëtare, e cila qëndrojë pranë nesh, të implementohet marrëveshja dhe strukturat paralele të shuhen në tërë pjesët e Kosovës.