PSHDK është e shqetësuar për lirinë e medieve në Kosovë
Prishtinë 3 maj - Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës (PSHDK) është e bindur se shtypi dhe mediet janë jashtëzakonisht të rëndësishme për një shtet funksional dhe demokratik, është e brengosur me raportin e fundit të Organizatës Freedom House, me seli në Washington, që edhe njëherë e radhiti Kosovën në kategorinë e vendeve pjesërisht të lira.
Ky raport sipas PDSHDK-së është një goditje e radhës ndaj reputacionit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Dr. Ukë Berisha, Kryetar i PSHDK-së ka thënë së liria e shprehjes dhe e shtypit, për ne është thelbi i demokracisë dhe premisa kryesore mbi të cilat parime formohet një shoqëri e lirë, një shoqëri demokratike dhe me mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët e saj.
Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës (PSHDK), vlerëson se atëherë kur atakohet shtypi, liria e fjalës dhe e të shprehurit, atakohet demokracia dhe kështu vihet në rrezik i gjithë sistemi demokratik që po ndërtojmë. Kosova, një shtet i dalur nga robëria, duhet të ndjek rrugën e vendeve evropiane, ku aspiron të integrohet dhe të krijojë mundësi të barabarta për të gjitha mediat dhe shtypin e lirë në Kosovë.
Në këtë raport të fundit, Kosova është në vendin e 102-të në krahasim me vendin e 98-të që ishte në vitin e kaluar.
Berisha ka theksuar se në këtë aspekt, është tepër brengosës raporti në fjalë edhe për faktin se nga viti i kaluar, Kosova nuk ka arritur të shënojë asnjë progres, por gjendja e mediave është keqësuar dhe Kosova ka shkuar katër vende më prapa.
Ky lajm, si i tillë, sipas tij është diskreditues për vendin tonë dhe rrugëtimin e tij drejt një demokracie evropiane, ku liria e shprehjes dhe e shtypit, është thelbi i demokracisë, prandaj PSHDK-ja fuqishëm e mbështet lirinë shtypit dhe medias.
Raporti i fundit i Organizatës Freedom House dhe vendosja e Kosovës në kategorinë e vendeve me media pjesërisht të lira, duhet të mobilizojë urgjentisht të gjitha institucionet tona dhe ti bëjë ato të reflektojnë që të përmirësohet gjendja e shtypit në Kosovë, ndërkaq politika të rri larg shtypit të lirë.
Për PSHDK-në, është mjaft shqetësues reputacioni i vendit tonë në planin ndërkombëtar. Këtë reputacion e dëmton edhe më shumë, vendosja e Kosovës në kategorinë e vendeve me media pjesërisht të lira.
Vendosja e Kosovës në kategori, është një degradimi i rëndë për vendin dhe i sjell kështu imazhe të këqija Republikës së Kosovës në planin ndërkombëtar.
Të radhitesh në indekset ndërkombëtare si vend me media pjesërisht të lira, është një imazh tejet negativ, që nuk mund të përmirësohet lehtë dhe as të kompensohet me asgjë tjetër. Këto raporte, ndikojnë dukshëm në imazhin e përgjithshëm të vendit, në procesin e njohjeve ndërkombëtare të shtetit të Kosovës dhe sigurisht në investimet ekonomike.
\"Ne inkurajojmë dhe mbështesim shtypin e lirë dhe gjithashtu kërkojmë nga të gjitha institucionet e vendit, partitë tjera të Kosovës dhe individët që ti lejojnë mediat të bëjnë punën e tyre, sepse kështu të gjithë kontribuojnë për një Kosovë të lirë dhe demokratike\", ka theksuar Berisha.
\"Ne vlerësojmë se nuk mund të ketë demokraci të shëndoshë dhe përfaqësuese, pa garantimin e lirisë së të shprehurit dhe pa media të lira. Kontrollimi i mediave, nuk i ndihmon askujt, përveç se mund të ndihmojë ndonjë klan të momentit\".
Ky raport në fjalë, duhet të shqetësojë të gjitha institucionet e vendit, sidomos qeverinë, e cila duhet me legjislaturë adekuate të përmirësojë gjendjen e shtypit të lirë në Kosovë, njëherësh të garantojë dhe sigurojë një ambient të sigurt për veprimin e mediave pa kufizime.
Institucionet e vendit sipas Berishes duhet ti mbajnë duart larg nga mediat dhe duhet të lejojnë ato të bëjnë punën e tyre në përkim me kodin etik të mediave dhe konform kërkesave profesionale.
Raporti i përmendë edhe sfidat e shtypit në Kosovë dhe elementet që kanë bërë që Kosova të radhitët më keq së vitin e kaluar. Sipas këtij raporti, në Kosovë vitin që kaloi pati një prirje shqetësuese, pasi parlamenti miratoi amendamente në kodin penal, për ta rikthyer ndjekjen penale për shpifje dhe kjo ishte një lëvizje në drejtimin e gabuar.
Prandaj është momenti i fundit, që shtypi të lihet i lirë, ndërsa politika të krijojë të gjitha kushtet e nevojshme që shtypi të funksionojë në përkim me parimet etike dhe ligjet bashkëkohore evropiane.