PSHDK e shqetësuar me ekspansionin neo-otoman
Prishtinë, 24 tetor - PSHDK-ja është e shqetësuar me ekspansionin neo-otoman që po ndodh aktualisht në Kosovë, edhe me bekimin e dy liderëve shqiptarë, Hashim Thaçit e Edi Ramës.
Demokristianët kurrë nuk do të pajtohen me sloganin neo-otoman e ekspansionist me primesa raciste: se \"Kosova është Turqi\"! Ofensiva neo-otomane diplomatike, politike, shoqërore dhe fetaro-kulturore kundër Kosovës, ka marrë përmasa alarmante.
\"Asnjë kryeministër i Kosovës, ndër ta as Thaçi dhe asnjë lider shqiptar, nuk ka legjitimitet shtetëror, as politik, që ta quajë \"vëlla\" në emër të Kosovës apo Shqipërisë, kryeparin e një shteti tjetër, në këtë rast kryeministrin turk që po ndërhyn direkt në fushatën zgjedhore.\"
Pjesëmarrja e dy kryeministrave në këtë fushatë sipas PSHDK-se është veprim antidemokratik në këtë fushatë dhe ndërhyrje punët e brendshme të Kosovës.
PSHDK është e interesuar për raporte të mira e reciproke me Turqinë: kjo do të thotë që, ashtu si minoriteti turk i gëzon të drejtat e veta në Kosovë, të tilla t\'i gëzojnë edhe 4-5 milionë shqiptarë në Turqi: të hapen shkolla fillore shqip, shkolla të mesme shqip dhe universitete shqiptare në Turqinë e sotme.
Ashtu sikundër një grusht turqish në Kosovë i gëzojnë të drejtat politike, ashtu le t\'i kenë edhe shqiptarët në Turqi: që të ketë deputetë e qeveritarë shqiptarë në institucionet turke dhe që gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare në Turqi.
Ashtu si ka objekte nderimi e kulti për sulltanët otomanë në Kosovë, të tilla përmendore për Skënderbeun e figura të tjera shqiptare duhet të ketë edhe në Turqi.
Ashtu si për turqit në Kosovë, ashtu edhe për shqiptarët e Turqisë të kenë zhvillim të kulturës shqiptare, të letërsisë e arteve shqiptare; që të botohen gazeta shqip për shqiptarët atje e të ketë media e gazeta shqiptare në Turqi për shqiptarët atje.
Kërkojmë nga liderët shqiptarë që ta ndalojnë ekspansionin neo-otoman kundër shteteve tona, Kosovës e Shqipërisë. Në të kundërtën, shenjat tragjike të këtyre pasojave, tashmë po përjetohen e shihen. Kërkojmë nga Akademitë tona shkencore, nga shtresat intelektuale e nga institucionet e qarqet tjera shqiptare e nga ato të Kosovës, që të reagojnë ndaj formulës neo-otomane e ekspansioniste se \"Kosova është Turqi\".