PSD: Protesta nuk përbën lëndë terrorizimi
Prishtinë, 12 shkurt - Sot u mbajt seanca e parë gjyqësore ndaj aktivistëve të Partise Social Demokrate (PSD), Gëzon Kastrati e Korab Korça, dhe Çlirim Gërbeshit nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).
Gjyqtari sot e ka mbyllur seancën për publikun. Proceset e tilla sipas PSD-së kanë shumë nevojë për transparence sepse kështu kuptohen dhe evitohen arbitrariteti e shkeljet.
Në fakt, rasti daton nga koha e protestave kundër “Zajednicës” dhe Demarkacionit.
"Ne jemi të bindur se protestat kundër “Zajednicës” dhe Demarkacionit ishin të drejta", vlerëson PSD.
PSD konsideron se kualifikimi i veprës është në shpërputhje të plotë me mënyrën se si e ka trajtuar rastin Gjykata Themelore në Prishtinë.
"Ata po akuzohen për përgatitje të veprës terroriste, ndërkaq ka 3 vite ç’prej se është hapur ky rast dhe Gjykata nuk ka ndërmarrë asnjë veprim."
"Rrezikshmëria e tre “terroristëve” nuk e ka prishur rehatinë e gjyqtarëve për ta trajtuar këtë rast me prioritet".
"VV në pushtet ka vendosur të mos flasë më për këto raste. Siç duket nga perspektiva e pushtetit shohin diçka tjetër", thekson PSD.
Sjellja karshi përpjekjeve sipas PSD është indikacion për mënyrën se si do t’i trajtosh kauzat e djeshme sot.
"Duke e parë një proces të dobët dhe me shkelje të njëpasnjëshme, jemi të bindur se protesta do të fitojë, kurse aktivistët do të lirohen nga damka e rëndë etiketuese e kualifikimit të veprës", thekson.