PSD kërkon seancë të jashtëzakonshme për “rastin Lumezi”
Prishtinë, 22 gusht - Partia Socialdemokrate mbajti konferencë për media në lidhje me skandalin e fundit në sistemin e drejtësisë, nga ku u kërkua seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës lidhur me këtë çështje, si dhe organizim i Vettingut për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Kosovës.
Deputeti Frashër Krasniqi dhe anëtarja e Kryesisë, Natyra Kuçi, theksuan se skandali i fundit konfirmon edhe një herë kapjen e sistemit të drejtësisë.
Partia Socialdemokrate ka kërkuar sot që Kuvendi i Kosovës ndonëse në pushim, të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme për të mos ikur pa u diskutuar edhe "rasti Lumezi" sikurse çështjet e tjera të rëndësishme.
Një kërkesë të tillë e bëri të ditur deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi, i cili në një konferencë për media tha se krerët e shtetit janë dakorduar për deklaratat e tyre drejtuar Elez Blakajt, pasi që këta të fundit nuk po merren me atë që ka thënë Blakaj, porse thjesht e quajnë frikacak atë.
"PSD kërkon një mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës. Ne jemi gati dhe duhen nënshkrimet edhe të partive të tjera. Më e pakta që mund të bëjmë ne si opozitë është të thërrasim një seancë të jashtëzakonshme lidhur me këtë", tha ai.
Sipas tij, reagimi i prokurorit Aleksandër Veseli, ndaj ftesës që prokurori Elez Blakaj i kishte bërë këtij të fundit për të dëshmuar, është dëshmi e një shteti të kapur.
"Ne kemi raste të kaluara kur deputetët janë ftuar për të dhënë deklarata... Aleksandër Lumezi është takuar edhe me Besim Beqajn, i cili ishte i përfshirë në aferën pronto. Këtu aktualisht krijohet përshtypja se z.Lumezi është i kapur nga shteti e shteti është i kapur nga klani pronto. Ne sot e pyesim z. Veselin se a ka marrë pjesë në këtë ftesën e prokurorit Blakaj, e në bazë të atyre që u thanë del se ai nuk është paraqitur për të dëshmuar. Në të njëjtën kohë e kemi edhe reagimin e kryeministrit Haradinaj, deklaratat e të cilit ishin jorelevante. Reagimi i tij është i papërgjegjshëm dhe joserioz", u shpreh ai.
Natyra Kuqi, anëtare e kryesisë në PSD, tha se sistemi gjyqësor përbën një nga hallkat e shtetit të kapur.
"Afera pronto nuk do të ishte e mundur pa një pronto kryeprokuror. Skandali i fundit i rastit të veteranëve, fryrja e listave të veteranëve, është fenomen tipik neoliberal. Fatkeqësisht disa nga individët e përfshirë në këtë skandal kanë bartur barrën e luftës në Kosovë", u shpreh ajo.
Sipas saj, në Kosovë mund të ketë sistem të drejtësisë vetëm pasi që të ndërrohet klasa politike dhe pas vetingut.